Rajoni

Vendimet për targat e letërnjoftimet, kryeministri Kurti thirrje serbëve!

Përmes një videomesazhi në serbisht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu është drejtuar të gjithë qytetarëve serbë, që sidomos në veri përbëjnë shumicën, në lidhje me dy vendimet qeveritare që do të hyjnë në fuqi nga e hëna e javës së ardhshme. Ato kanë të bëjë me reciprocitetin e letërnjoftimeve e gjithashtu me regjistrimin e automjeteve me targa të Kosovës. Shefi i qeverisë së Prishtinës tha se “institucionet përgjegjëse të këtij procesi kanë bërë përgatitjet e nevojshme ligjore e po ashtu logjistike” ndërsa shtoi se zyrtarët shtetërorë janë të përkushtuar që bashkërisht me serbët ta fillojnë e zhvillojnë këtë proces me sukses”.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës deklaroi se “me këto dy vendime synohet që të mbrohen të drejtat e qytetarëve nga veprimet diskriminuese të shtetit serb”.

Nuk duam që këtë veprim tonin ta kuptoni ndryshe, përveçse si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaja, si shtetas të Republikës së Kosovës. Detyrimi ynë është që të mbrojmë të drejtat tuaja nga veprimet diskriminuese, të cilat siç janë kërcënim ndaj shtetit, janë kërcënime edhe ndaj të gjithëve ne, si shtetas të tij.

Nga data 1 gusht hyn në fuqi edhe një vendim tjetër i Qeverisë së Kosovës për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, të lëshuara nga autoritetet serbe. Sipas këtij vendimi, “të gjithë ata persona që kanë dokumente të tilla, me të hyrë në territorin e Kosovës do të marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet”. Kjo është një lloj mase reciproke, pasi të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale.

Në të njëjtën ditë, do të fillojë edhe procesi i regjistrimit të veturave që posedojnë targa ilegale të cilat do të kthehen në targa RKS. Ditë më parë, presidenti serb, Aleksander Vuçiç, tha se është i shqetësuar në prag të nisjes së zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave.