Rumunët me të drejtë vote, sot janë thirrur të votojnë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që mund të përballin një kandidat nacionalist të krahut të djathtë me kryeministrin aktual të majtë në balotazhin e ardhshëm. Trembëdhjetë kandidatë po garojnë për postin e kryetarit të këtij shteti anëtar të Bashkimit Europian e NATO-s. Këto janë zgjedhjet e para pasi më 1 dhjetor, në Rumani mbahen ato politike.
Rezultatet e këtyre proceseve nuk përcaktojnë vetëm politikën e brendshme por edhe të jashtmen, përfshirë mundësinë e zbehjes së mbështetjes rumune për Ukrainën që lufton pushtimin rus në shkallë të plotë.
Presidenti në ikje i qendrës së djathtë, Klaus Iohannis mbyll mandatin e dytë e një dekadë në pushtet. Nëse sot asnjë kandidat nuk fiton më shumë se 50% të votave, dy emrat e parë në listë do të përballen në raundin e dytë të 8 dhjetorit. Ndërkohë, Rumania do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare më 1 dhjetor, datë kur shënon Ditën Kombëtare.
Përparësitë kryesore
Oana Popescu-Zamfir, drejtore e Qendrës për Fokus Global, me seli në Bukuresht, përmend se “Rumania do të përballet me dy realitete të rëndësishme në vitin tjetër: kërcënimin e një mungese stabiliteti më të theksuar në rajon e në botë, sidomos në kontekstin e ardhjes së [presidentit të zgjedhur amerikan, Donald] Trump në Shtëpinë e Bardhë. Së dyti, vlerëson se “rreziku i thellimit të krizës ekonomike dhe financiare është i madh, duke marrë parasysh normat e deficitit buxhetor e shkallën e inflacionit”.
Ekonomia dhe korrupsioni duket se janë në krye të listës së përparësive për votuesit.
Për votuesit kanë rëndësi kushtet e jetesës, ulja e inflacionit dhe deficiti buxhetor, që është ndër më të lartit në Bashkimin Europian, u shpreh Popescu-Zamfir. Për ata ka rëndësi edhe shmangia e masave shtrënguese që me gjasa mund të jenë shumë të rrepta.
Korrupsioni, ai në publik ashtu edhe atë privat e ka dëmtuar rëndë Rumaninë. Në sektorin shëndetësor publik, dhënia e ryshfetit për të takuar mjekun apo për të marrë një trajtim mjekësor është diçka që dyshohet se ndodh shpesh, pavarësisht përpjekjeve për ta kufizuar këtë praktikë.
Edhe pse dominojnë shqetësimet për çështje të brendshme, votuesit shqetësohen edhe për politikën e jashtme, sidomos për luftën ruse në Ukrainën fqinje të Rumanisë dhe si do të ndikojë ndërrimi i administratës amerikane në këtë konflikt.