Ndonëse kanë ardhur në ulje, vdekjet nga aksidentet rrugore në Shqipëri vijojnë që të mbeten ndër më të lartat në Europë. Sipas shifrave të INSTAT-it, në vitin 2022, 164 persona humbën jetën nga aksidentet me makinë ose 59 vetë për 1 milion banorë. Kjo shifër është më e lartë edhe se mesatarja e Bashkimit Europian prej 46 viktimash për 1 milion banorë, referuar të dhënave të publikuara nga Eurostat-i.
Në total, Shqipëria renditet e gjashta, pas Rumanisë që mban rekordin me 86 vdekje për 1 milion banorë, Bullgarisë (me 78), Kroacisë (me 71), si dhe Portugalisë (me 60). Nuk ka të dhëna të fundit për vendet e rajonit, por statistikat e mëparshme referojnë se numri i tyre është më i ulët se në Shqipëri. Por, një zhvillim pozitiv është se numri i viktimave nga aksidentet rrugore në Shqipëri ka ardhur në rënie të ndjeshme në vitet e fundit.
Në vitin 2022 u shënuan 164 humbje jete, që është edhe shifra më e ulët e regjistruar ndonjëherë që nga viti 2000, kur raportohen të dhënat. Sipas INSTAT-it, rreth 70-80% e aksidenteve shkaktohen nga drejtuesit e mjeteve. Grupmoshat e reja 25-34 vjeç janë në përgjithësi më të pakujdesshmit.
Vdekjet nga aksidentet rrugore në Bashkimin Europian, BE u rritën me 4% në vitin 2022
Sipas Eurostat-it, 20 mijë 653 persona humbën jetën nga aksidentet e trafikut rrugor në Bashkimin Europian gjatë vitit 2022, duke shënuar një rritje prej 4 për qind krahasuar me vitin 2021 (19 mijë e 917 viktima). Numri i viktimave është rritur për dy vite radhazi pas rënies së paprecedentë në vitin 2020 (18 mijë e 833), vit ku kufizimet e COVID-19 prekën transportin e pasagjerëve.
Shkalla me e lartë e vdekshmërisë rrugore u regjistrua në shtetin rumun, ndërsa më e ulëta në Suedi. Në vitin 2022, në Bashkimin Europian, Bashkimi Europian kishte mesatarisht 46 viktima në trafikun rrugor për 1 milion banorë. Duke marrë në konsideratë popullsinë e çdo vendi të Unionit, shkalla më e ulët e vdekjeve në rrugë në vitin 2022 u regjistrua në shtetin suedez (me 22 vdekje rrugore për 1 milion banorë), i ndjekur nga Danimarka ( me 26), si dhe Irlanda (me 31).
Ndërsa normat më të larta u regjistruan në Rumani, vend që kryeson (me 86 vdekje rrugore për milion banorë), i ndjekur nga Bullgaria (me 78) e më tej, Kroacia (me 71)./Monitor