Aktualitet

Shqipëria voton, zhvillohen zgjedhjet parlamentare

Rreth 3.6 milionë shqiptarë me të drejtë vote janë thirrur sot të zgjedhin Kuvendin e ri me 140 deputetë. Votimi i nisur në 07:00 të mëngjesit mbyllet në orën 19:00. Në të gjithë vendin janë 5199 qendra votimi por në disa prej tyre janë shënuar probleme kryesisht teknike që kanë çuar në vonesa për hapjen në kohë. Askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes, sipas procedurave të parashikuara.

Për identifikimin e zgjedhësve, në çdo qendër votimi zbatohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI). Përmes tyre sigurohet identifikimi i saktë i zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.

Në Bashkinë Tiranë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcaktoi Zonën e Administrimit Zgjedhor nr.40, për zbatimin e projektit pilot lidhur me procesin e votimit dhe numërimit elektronik të votave. ZAZ nr.40 është e përbërë nga 32 qendra votimi.
Qendrat e votimit mbyllen në orën e caktuar, pra në 19:00. Nëse edhe pas kalimit të këtij orari ka zgjedhës që presin në radhë, KQV-ja mbledh dokumentet e identifikimit të të gjithë zgjedhësve të pranishëm dhe i thërret me radhë për të kryer votimin.

Të ndarë sipas qarqeve, kryeson Tirana me mbi 910 mijë zgjedhës, për të vijuar me Fierin me më shumë se 403 mijë, Durrësi afro 360 mijë, Elbasani rreth 347 mijë, Vlora me 318 mijë e 428 zgjedhës, Korça me 284 mijë e 363, Shkodra me 272 mijë e 078, Beratin me 183 mijë e 119, Lezha me 173 mijë e 899 votues, Dibra me 131 mijë e 225, Gjirokastra me 123 mijë e 270 dhe Kukësin me 83 mijë e 027.

Teksa shqiptarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur Kuvendin e ri, Ilirjan Celibashi u kujtoi votuesve se nuk duhet të marrin celularin me vete.

Kushdo që shfaqet me celular do të konsiderohet si tentativë për fotografimin e votës.

Ndërkaq ashtu si dje, edhe sot nuk lejohet asnjë lloj fushate elektorale nëpërmjet medias, zhvillim mitingjesh apo i të tjera veprimtarive zgjedhore të partive ose kandidatëve. Një numër vëzhguesish nga OSBE/OD’HIR, Këshilli i Europës së bashku me grupe nga ambasadat e akredituara në vendin tonë do të ndjekin nga afër ecurinë e procesit të votimit.

Komuniteti ndërkombëtar është treguar i vëmendshëm ndaj incidenteve të shtuara duke përsëritur thirrjet për nevojën e një procesi të rregullt e duke kërkuar vetpërmbajtje dhe qetësi nga palët politike. Në këto zgjedhje, përveç partisë, qytetarët do të mund të zgjedhin edhe kandidatin e tyre të pëlqyer.