Bota Celebrities

Të sakrifikosh karrierën për hir të vendin tënd, sopranoja ruse Anna Netrebko tërhiqet nga shfaqjet!

Teksa e gjithë bota i ka sytë nga Ukraina dhe luftës që po ndodh atje, të gjithë po mundohen që të solidarizohen dhe në një mënyrë apo në një tjetër të bëjnë diçka. Së fundmi, sopranoja e famshme ruse, Anna Netrebko, ka deklaruar se nuk do të performojë më në “Metropolitan Opera” në New York këtë sezon apo sezonin e ardhshëm, pasi ajo refuzoi të distancohej publikisht nga presidenti rus Vladimir Putin.

Menaxheri i përgjithshëm i kompanisë, Peter Gelb, në një deklaratë për ‘CNN’ tha se:

Është një humbje e madhe artistike për Met dhe për operën. Anna është një nga këngëtaret më të mëdha në historinë e Met, por me Putinin që vrau viktima të pafajshme në Ukrainë, nuk kishte rrugëdalje.

Netrebko ishte planifikuar të performonte në “Turandot” të Puccinit këtë pranverë, si dhe “Don Carlo” të Verdit sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, sopranoja ukrainase, Liudmyla Monastyrska, do ta zëvendësojë atë në “Turandot” dhe zëvendësimi i saj në “Don Carlo” do të shpallet në një datë të mëvonshme.

Netrebko në Instagram u shpreh se ishte kundër kësaj lufte me Ukrainën, por pa mbajtur anën kundër liderëve të vendit të saj apo duke u solidarizuar qartë me ukrainasit. Ndërkaq, ju rikujtojmë se Eurovizioni ka vendosur të përjshtojë Rusinë nga gara muzikore për vitin 2022. Njoftimi është bërë i ditur përmes një postimi në faqen zyrtare në Twitter të ‘Eurovision Song Contest’. Në njoftim thuhej se:

Ne mbetemi të përkushtuar për të mbrojtur vlerat e një konkursi kulturor që promovon shkëmbimin dhe mirëkuptimin ndërkombëtar.

Ndërkaq, edhe këngëtari i njohur Louis Tomlinson ka bërë me dije do të anulojë shfaqjet në Ukrainë dhe Rusi gjatë turneut të tij botëror këtë verë për shkak të ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur.