Aktualitet

Tepelenë, pezullohet mësuesi i fiskulturës i dyshuar për ngacmim seksual të nxënëseve të mitura!

Merret vendim për pezullim nga detyra për mësuesin e edukimit fizik, Kleanth Laçi nga Tepelena, ndërsa dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja e Arsimit, Evis Kushi njoftoi se për mësuesin është marrë masa e ndalimit nga policia dhe Zyra Arsimore Tepelenë ka marrë sot vendimin për pezullimin e mësuesit nga puna deri në përfundimin e plotë të hetimeve. Po ashtu, të miturës i është ofruar ndihmë nga punonjësit e shërbimit psiko-social.

Kemi ndjekur nga afër ngjarjen e ditëve të fundit të ndodhur në Tepelenë, ku një mësues është dhunuar, pasi akuzohet nga familjarët për abuzim ndaj vajzës së tyre. Për mësuesin është marrë masa e ndalimit nga policia dhe Zyra Arsimore Tepelenë ka marrë sot vendimin për pezullimin e mësuesit nga puna deri në përfundimin e plotë të hetimeve. Nxënëses menjëherë i është ofruar ndihmë nga punonjësit e shërbimit psiko-social dhe gjithashtu drejtoria dhe stafi i shkollës do të vijojnë mbështetjen për vajzën dhe familjen e saj, për ta kapërcyer këtë situatë.

Këtë mëngjes, 59-vjeçari u arrestua nga policia e Tepelenës. Dy ditë më parë, ai u dhunua nga tre persona të cilët e goditën me grushte dhe mjete të forta. Policia ndaloi një prej autorëve të sulmit ndaj mësuesit Laçi që rezultoi se ishte vëllai i së miturës të cilën 59-vjeçari dyshohet se ka ngacmuar në mjediset e shkollës.

Albi Gumeni 29 vjeç u ndalua për plagosje të lehtë me dashje nën akuzën e vetëgjyqësisë. Ishte ai që ka denoncuar ngacmimin e së motrës në polici pas ndalimit. Ndalimi i mësuesit 59-vjeçar sipas policisë u bë pasi nga kallëzimet e marra në lidhje me këtë rast, dyshohet se ai ka ngacmuar seksualisht dy shtetase të mitura.