Celebrities Gossip

Tragjedia në koncertin e Travis Scott, dalin në ‘dritë’ detaje të reja…

Vdekja e 10 personave gjatë Festivalit ‘Astroworld’ të reperit të njohur Travis Scott është konsideruar si aksidentale nga asfiksimi dhe kjo sipas të dhënave mjekësore. Pjesëmarrësit e festivalit që ndërruan jetë ishin të gjithë nën 30 vjeç. Autopsia e tyre u krye në ditët pas koncertit të 5 nëntorit dhe u finalizua këtë javë, me asfiksinë që u përcaktua si shkaku i vdekjes.

Të dhënat e ekspertit mjekësor tregojnë se një nga viktimat kishte gjurmë kokaine, metamfetamine dhe alkool që çuan në vdekjen e tij. Pasojat nga shfaqja vdekjeprurëse kanë shkaktuar një vërshim të proceseve gjyqësore civile nga qindra të pranishmit, duke vënë në shënjestër organizatorët e koncertit dhe vetë Scott për dështimin për t’i mbajtur njerëzit të sigurt.

Ndërkaq, telashet dhe fama e keqe për reperin Scott nuk kanë fund. Së fundmi reperi u hoq nga formacioni për festivalin e ardhshëm të muzikës ‘Coachella Valley 2022’, ku ai ishte planifikuar të ishte një ndër performuesit kryesor. I kritikuar nga disa pjesëmarrës të ‘Astroworld’ që nuk e ndaloi më herët koncertin e tij, lajmi për largimin nga festivali ‘Coachella’ vjen pas një peticioni që po lobon për largimin e Scott nga të gjitha shfaqjet. Deri më tani janë mbledhur më shumë se 60,000 firma.

Travis nga ana tjetër mohon akuzat, përfshirë neglizhencën, në paditë e ngritura kundër tij , sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura nga avokatët e Scott dhe të marra nga CNN. Më shumë se 140 padi janë ngritur në tragjedinë që la të vdekur 10 persona. Shumica pretendojnë se të pandehurit ishin neglizhues dhe u përpoqën të fitonin shuma të mëdha parash nga koncerti.

Scott ka shprehur trishtim për tragjedinë, ka siguruar rimbursime të plota për të gjithë blerësit e biletave dhe madje ka ofruar të mbulojë shpenzimet e funeralit për ata që ndërruar jetë. Disa familje e kanë refuzuar ofertën e tij. Artisti ka përsëritur në mënyrë te vazhdueshme se ai nuk ishte në dijeni të kaosit që shpërtheu në turmë atë natë dhe nuk e dinte që pjesëmarrësit e koncertit po plagoseshin rëndë.