Rajoni

Zbatimi i vendimit për targat në Kosovë, presidenti serb Vuçiç “i shqetësuar”!

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, tha se është i shqetësuar në prag të nisjes së zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave. Me këtë vendim të datës 29 qershor, të gjithë automjetet me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, duhet të riregjistrohen me targa të Republikës së Kosovës. Makina me të tilla targa, janë rreth 10 mijë e kryesisht qarkullojnë në veri të Kosovës, me shumicë serbe.

Jam i shqetësuar dhe do të shohim si do të zhvillohen gjërat.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës parashikon që riregjistrimi i makinave të nisë nga data 1 gusht e të zgjasë deri më 30 shtator. Eshtë fjala për mjetet që i kanë targat me akronime të qyteteve të Kosovës, si: PR për Prishtinën, GL për Gjilanin, PZ për Prizrenin, KM për “Mitrovicën e Kosovës” e të tjera.

Tashmë duhet të regjistrohen në RKS, që do të thotë Republika e Kosovës. Për këtë çështje, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në vitin 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk u zbatua në terren. Në komunat në veri vazhdoi qarkullimi i makinave me targat që i lëshon Ministria e Brendshme e Serbisë, në kundërshtim me akordin. Si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, Bashkimi Europian, tha se “Kosova ka të drejtë t’i zëvendësojë targat me akronimet e qyteteve”. Vuçiç akuzon Prishtinën se do që “targat KM, të mos ekzistojnë”.

Mbi çfarë baze? Ku shkruan? Shkruan në kokën e Albin Kurtit dhe të vendeve të QUINT-it, sepse për to, Kosova është shtet. Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, pas 30 shtatorit, nuk do të ketë mundësi riregjistrimi me targat që lëshojnë autoritetet serbe. Por, Qeveria e Kosovës nuk ka treguar se çfarë do të ndodhë me makinat që nuk riregjistrohen në RKS pas këtij afati.

Nga 1 gushti hyn në fuqi edhe një vendim tjetër i Qeverisë së Kosovës për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, të lëshuara nga autoritetet serbe. Sipas këtij vendimi, “të gjithë ata persona që kanë dokumente të tilla, me të hyrë në territorin e Kosovës do të marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet”. Kjo është një lloj mase reciproke, pasi të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale.