Detaje të reja nga ngjarja e djeshme në Vlorë, ku ndërroi jetë Ismail Aliaj, 63 vjeç. Sipas burimeve nga policia, shkak ishte një konflikt i disa ditëve më parë që djali i viktimës, i cili mbeti i plagosur lehtë e mori ndihmë mjekësore në spital, pati me personin që i dhunoi babanë për vdekje.
Dy anëtarët e familjes Aliaj shkuan në rrugën “Gjergj Araniti” për të sqaruar konfliktin. Autori ishte në makinë, me familjen, pasi sapo kishte nxjerrë djalin nga spitali. Kur viktima me të birin iu afruan, debatuan dhe më pas kaluan në fyerje e sharje. Duke qenë se autori ka shtëpinë aty pranë, i shkuan në ndihmë dy shokë.
Përplasja fizike i mori jetën 63 vjeçarit, i cili vuante edhe nga probleme me zemrën.
Autori dhe dy bashkëpunëtorët u larguan me makinë e janë në kërkim. Rezulton se rreth 1 muaj më parë, viktimës i kanë djegur edhe automjetin, por sipas bluve, kjo ngjarje nuk ka lidhje.