Kryebashkiaku Erion Veliaj përgëzoi skiatoren e Sport Klub Tiranës, Lara Colturi për vendin e dytë në Kampionatin Botëror të Skive, një sukses i madh për Shqipërinë. Veliaj u shpreh krenar që flamuri shqiptar u ngrit në podium, si një moment historik për sportin shqiptar.
Eshtë kënaqësi e jashtëzakonshme të presim në Bashkinë e Tiranës, gocën tonë, Lara Colturi, sportiste e Sport Klub Tiranës, e skuadrës së Shqipërisë, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme bashke me Elvis Toçin dhe gjithë skuadrën e Federatës së Skive, në një vend me logjistikë modeste për sportin e skive, por me një skuadër me super talente. Para se Lara të jetë kampione e botës është një super vajzë dhe ajo që kam parë nga garat është se rrethohet me shumë dashuri. Jemi shumë krenarë për ty!
Duke vlerësuar rezultatet e arritura këtë vit, Veliaj premtoi se Sport Klub Tirana dhe bashkia do të japin më shumë mbështetje për sportistët e talentuar.
Ne do të vijojmë të mbështesim sportistët e talentuar përmes drejtorisë sonë të Sportit dhe Sport Klub Tiranën. Ky ka qenë viti i rekordeve. Për herë të parë morëm medaljet olimpike dhe për herë të parë prekim një podium të skive. Eshtë podiumi i parë, por shpresoj jo i fundit. Me shpresë se nuk do i ndahemi podiumeve dhe me shpresë gjithashtu, që Lara do të jetë një model edhe për vajzat e tjera në Shqipëri e do vazhdojë të na bëjë krenarë.
Skiatorja kuqezi rrëfeu përjetimet e suksesit:
Ishte e mrekullueshme! Pas raundit të parë isha e katërta, vetëm një hap larg podiumit. Në fund, mendova thjesht për t’u argëtuar dhe kur pashë se ia dola ishte një emocion i veçantë. Nuk po e besoja e ndoshta edhe tani nuk më besohet.
Presidenti i Federatës së Skive në Shqipëri, Elvis Toçi vlerësoi mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit Veliaj, për arritjen e këtij suksesi në këtë sport e që deri më tani është më i madhi në Shqipëri.