Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar dekretin e presidentit dhe vendimin e qeverisë për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama e quan “ngërç absurd” duke shtuar se kryeqyteti nuk mundet të mbetet “si një trup pa kokë”, pasi kostoja e madhe do të bie mbi qytetarët.
Sipas Ramës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk duhet parë si një akt kundër qeverisë, por si një dëm i madh për Tiranën.
Dua të theksoj se çfarëdo është thënë nuk ka thënë të vërtetën lidhur me arsyen e shkarkimin e kryetarit të bashkisë. E vërteta është e thjeshtë: Tirana nuk duhet drejtuar si një trup pa kokë, kryeqyteti i Shqipërisë ka nevojë për të zgjedhurin e vetë mbi krye.
Kush ka dorë të ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet të kujtohet se përtej teorive konspirative, kryeqyteti nuk duhet të trajtohet si jetim për vite me radhë. Ky është një skandal që qytetarët paguajnë një kosto të padrejtë.
Kryeministri shtoi se nëse në Tiranë nuk zhvillohen zgjedhje deri në vitin 2027, ndërsa Gjykata Kushtetuese mendon se kryetari i bashkisë mund të largohet vetëm përmes zgjedhjeve, atëherë krijohet “një disproporcion i dyfishtë”. Sipas tij, “nëse ecet mbi këtë parim, atëherë Kushtetuesja në gjykimin e paraburgimit të Veliajt, duhet ta lirojë nga qelia”.
Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri më 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryetari nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë këtu jemi përballë një dispropocioni të dyfishtë. E para, e mbajtjes në qeli në dëm të të drejtave të tij kushtetuese dhe e dyta, në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri vetë.
Dhe e treta që vjen logjikisht, që nuk sheh te Kushtetuesja një vendim të bërë kundër qeverisë, ama, në dëm të madh të Tiranës, por te ajo sheh një vendim parimor. Nuk ka si të mos pres që me të njëjtin parim të gjykojë paraburgimin e tij dhe pres së Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë për të vijuar procesin gjyqësor i lirë, kjo është gjëja më normale. E para dhe e dyta janë të sigurta, pika e tretë mbetet për t’u parë.
Rama shtoi se vendimi i Kushtetueses tregoi se ai nuk i ka kapur të gjitha pushtetet, siç pretendojnë kundërshtarët politikë.