Bota

Venezuelë, Presidenti Maduro i shpëton një atentati

Presidenti i Venezuelës i shpëtoi një atentati me dronë të ngarkuar me eksplozivë. Sulmi që shkaktoi plagosjen e të paktën 7 ushtarëve, u regjistrua në qendër të kryeqytetit Karakas, ndërsa Nicolas Maduro merrte pjesë në një ceremoni ushtarake. Fjalimi i tij që transmetohej drejtpërdrejt në Televizionin Shtetëror, u ndërpre. Disa persona u kapën, por nuk ka detaje.  Për atentatin e dështuar, Nicolas Maduro drejtoi gishtin e akuzës ndaj homologut kolumbian, Juan Manuel Santos, si person përgjegjës. Në një fjalim drejtuar kombit, Presidenti i Venezuelës tha se ekstremi i djathtë venezuelian, i financuar nga Bogotaja e Majemi u përpoqën ta vrisnin. “Uroj që Donald Trump të tregohet i gatshëm të luftojë grupet terroriste”, – deklaroi Maduro. Ndërkaq, autorësinë e sulmit në Karakas e mori përsipër një grup i vogël, thuajse i panjohur, me emrin “Ushtarë me T-shirt”. Në një mesazh në “Twitter”, përfaqësuesit e tij shkruajnë se “Nuk patën sukses, por është çështje kohe”, referuar objektivit për të vrarë Presidentin e Venezuelës.