Aktualitet

Vetëm 314 persona nga 2329 rifitojnë sërish patentën!

Vetëm 314 persona, nga gjithsej 2329 riregjistrime në autoshkolla për shkak të heqjes së pikëve të lejes së drejtimit, kanë arritur të rifitojnë patentën në periudhën qershor 2022-qershor 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), vetëm 13,4% e personave që janë riregjistruar në autoshkollë pas humbjes së pikëve të patentës kanë arritur të rifitojnë lejen e drejtimit.

“Ata që kanë kaluar me sukses testet, janë kthyer në rrugë si drejtues mjeti, këtë herë më të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm”, thekson DPSHTRR. Në seancën më të fundit të testimeve, nga 42 riregjistrime, u paraqitën 25 kandidatë, por vetëm 10 prej tyre rezultuan fitues në testet teorike dhe praktike. DPSHTRR nënvizon se shkelësit e rëndë dhe përsëritës të rregullave të qarkullimit, të cilët rrezikojnë sigurinë në rrugë, duhet të riregjistrohen nga e para në autoshkollë dhe t’i nënshtrohen procesit të plotë të testimit, sipas akteve të reja ligjore në fuqi.

BE-ja po prezanton patentat digjitale të drejtimit dhe mundësinë e një afati të shkurtuar për shoferët e moshuar. Pritet që çdo shtet anëtar i BE-së të vendosë në mënyrë të pavarur, nëse dhe si do ta zbatojë dispozitën e re për kohëzgjatjen më të shkurtër të patentës së drejtimit për shoferët e moshuar. Parlamenti Evropian ka miratuar ndryshime në direktivat që kanë të bëjnë me lejet e drejtimit, të cilat prezantojnë një numër risish. Ndër më të rëndësishmet është futja e një patente digjitale, e cila do të bëhet standard në BE dhe të cilën shoferët do të jenë në gjendje ta kenë në smartfonat e tyre.