Shqipëria zbulon sitin më të madh arkeologjik, ku ruhen tri epoka të ndryshme nga 8000 vite para Krishtit deri tek 1000 vite pas. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro teksa vizitoi vendbanimet e periudhës prehistorike në gjurmën e gazsjellësit TAP, deklaroi se në të janë punësuar 100 persona. Projekti i ndërtimit të gazsjellësit po zhvillohet paralelisht me gërmimet arkeologjike. Nga gërmimi arkeologjik i shpëtimit deri tani janë zbuluar rreth 600 varre, rreth 11 site arkeologjike, të cilët datojnë nga periudha Helenistike, periudha prehistorike, e deri në periudhën Otomane. Këto materiale janë në proces studimi. Me shumë interes arkeologjik në këtë gërmim është zbulimi i një vendbanimi të periudhës neolitike. Ndër rajonet ku janë zbuluar më tepër site arkeologjike janë Korça, Berati dhe Skrapari. Përmes këtij projekti është krijuar mundësia të zbulohen site arkeologjike dhe vendbanime të rëndësishme për njohjen, hulumtimin dhe ekspozimin e trashëgimisë sonë arkeologjike.