Transmetuesi publik i Austrisë ka zbuluar zyrtarisht emrat e dy prezantuesve të Eurovision 2026, duke ndezur menjëherë interesin e publikut dhe mediave.
Spektakli më i ndjekur muzikor në Evropë këtë vit do të drejtohet nga Viktoria Swarovski dhe Michael Ostrovsky, një dyshe që pritet të sjellë freski dhe elegancë në skenën e madhe të festivalit.
Vëmendja kryesore është përqendruar tek Viktoria Swarovski, një nga figurat më të njohura të televizionit austriak dhe pjesëtare e familjes legjendare Swarovski, emër i lidhur ngushtë me botën e luksit, bizhuterive dhe dizajnit në rang global.
E lindur në Innsbruck të Tirolit, Viktoria ka ndërtuar një karrierë të pasur dhe shumëdimensionale si prezantuese, modele, stiliste, këngëtare dhe sipërmarrëse.
Edhe pse vjen nga një familje me trashëgimi të fuqishme biznesi, ajo zgjodhi që në moshë të re të ndjekë një rrugë të pavarur profesionale.
Vetëm 16 vjeçe, Swarovski firmosi kontratën e saj të parë diskografike me Sony Music, ndërsa në moshën 18-vjeçare u zhvendos në Los Angeles, ku bashkëpunoi me emra të mëdhenj të industrisë muzikore, përfshirë kompozitoren fituese të Grammy-t, Diane Warren.
Karriera e saj televizive shënoi një moment historik kur u bë gjyqtarja më e re në formatin Das Supertalent, ndërsa që prej vitit 2018 ajo është pjesë e pandashme e emisionit shumë të ndjekur Let’s Dance, një nga programet më të suksesshme në hapësirën gjermanofolëse.
Në CV-në e saj përfshihen edhe evente madhore si 100 Years Disney Show dhe Bambi Awards, ndërkohë që paralelisht ka ndërtuar edhe një profil të fortë biznesi, duke themeluar markën e bukurisë ORIMEI në vitin 2020.
Si modele, ajo ka qenë në kopertinat e revistave prestigjioze ndërkombëtare si Glamour, ELLE, L’Officiel, Gala Style dhe Forbes.
Së fundmi, në fillim të vitit 2026, Viktoria Swarovski realizoi edhe një ëndërr personale duke marrë pjesë në Dakar Rally, një nga garat më ekstreme të sporteve motorike në botë.
Duke folur për zgjedhjen e dy prezantuesve, drejtoresha e programit të Eurovisionit, Stephanie Grois-Horowitz, u shpreh se Viktoria Swarovski dhe Michael Ostrovsky përfaqësojnë “një dyshe të freskët dhe të paprecedentë”, duke shtuar se pasioni i tyre për Konkursin e Këngës i bën ambasadorë idealë për këtë event madhor.
Sipas saj, prezantimi i tyre pritet të mbetet gjatë në kujtesën e publikut evropian.