KQZ miratoi sot projektvendimin për ndarjen e mandateve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka përllogaritur ndarjen e mandateve në listë të hapur dhe të mbyllur në 12 qarqet e vendit.
Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, partitë politike duhet të gjejnë 186 kandidatë, pasi ndonëse garohet për 140 ulëse në Parlament, ndarja e listës së kandidatëve në dy pjesë, një e fiksuar dhe pjesa tjetër e hapur, detyron subjektet garuese të paraqesin më shumë emra.
Sipas formulës që do aplikohet për herë të parë në zgjedhjet e pranverës, 46 deputetët e parë të çdo subjekti garues do jenë produkt i listës së mbyllur ku renditjen e ka caktuar kryetari, ndërkohë vetëm partitë që arrijnë të marrin një numër mandatesh që tejkalon listën e mbyllur do kenë mundësi të çojnë në Kuvend deputetë si preferencë e qytetarit.
Sipas vendimit të KQZ, parashikohet që partitë politike të paraqesin një listë të ndarë në dy pjesë, ku 46 do të jenë në pjesën e mbyllur ndërsa 140 në pjesën e hapur, ku do të garohet për çdo votë.
Psh, siç shihet nga tabela, sipas qarqeve, në Berat, për cdo subjekt fitues, 2 deputetët e parë do të zgjidhen nga lista e fiksuar, dhe 5 nga lista e hapur.
Renditja në listë të hapur bëhet pa asnjë prag, kush ka marrë një votë më shumë, por 1 në 3 emra, do të jetë femër, edhe nëse zonjat nuk janë votuar sa duhet.