Lifestyle

Zgjimi në 05:00, sekreti i suksesit apo mënyra më e shpejtë për t’u rrënuar nga lodhja?

Zgjimi në 05:00 të mëngjesit është kthyer në një nga “recetat” më të përhapura në rrjetet sociale për sukses, vetë-disiplinë dhe produktivitet. Shpesh përshkruhet si “rutina e miliarderëve” ose “çelësi për të marrë kontrollin e jetës”.

Për të testuar nëse vërtet funksionon, një autore vendosi ta praktikojë këtë orar për 30 ditë rresht, me rezultate të përziera.

Gjatë javës së parë, zgjimi ka qenë sfidues. Trupi reagonte me lodhje ndaj ndryshimit të papritur të ritmit, por orët e para të ditës rezultuan të qeta, ideale për reflektim, palestër të lehtë dhe planifikim të ditës.

Nga dita e 8-të në të 14-tën, filluan të ndiheshin përfitimet e para: produktivitet më i lartë në paradite, ditë më e strukturuar dhe më shumë kohë e lirë, që më parë dukej “e pamundur” për t’u gjetur.

Megjithatë, mes ditës së 15-të dhe të 25-tës, dolën në pah vështirësitë. Rreth orës 15:00 lodhja bëhej e fortë, duke ndikuar në energjinë dhe fokusin. Për të kompensuar, autorja duhej të flinte rregullisht në orën 22:00, gjë që kufizonte jetën sociale dhe kohën e kaluar në mbrëmje me familjen.

Në fund të sfidës, nga dita 26 në 30, rutina ishte stabilizuar. Zgjimi në 05:00 nuk ishte më traumatik dhe benefitet ishin të dukshme: përqendrim më i mirë, humor më i qëndrueshëm dhe ndjesia se dita ishte nën kontroll.

Zgjimi i hershëm mund të funksionojë për shumë njerëz, por nuk është formulë magjike për të gjithë. Ekspertët e gjumit theksojnë se ritmi cirkadian dhe nevojat individuale të organizmit janë vendimtare: disa janë “njerëz të mëngjesit”, të tjerë funksionojnë më mirë vonë.

Magjia nuk qëndron te ora 05:00, por te qëndrueshmëria e rutinës, gjumi i mjaftueshëm dhe përshtatja me biologjinë personale.