Dëbora ka përfshirë zonat malore të vendit. Në veri, reshjet e rëna gjatë orëve të natës e të mëngjesit kanë sjellë probleme në aksin Bogë-Theth ku u punua për mbajtjen hapur të rrugës. Për shoferët nevojitet përdorimi i gomave dimërore dhe zinxhirëve. Akset konsiderohen të hapura, por rekomandohet një kujdes i shtuar, për shkak të ngricave në rrugë. Trashësia e dëborës shkon deri në 10 cm në Qafë Thore.
Gjatë natës, në Qarkun e Korçës ka patur reshje shiu me intensitet deri mesatar dhe në orët e para të mëngjesit vazhduan ato të dëborës në të gjithë territorin, në lartësinë mbi 700 metra.
Akset kryesore kombëtare: Qafa e Thanës-Pogradec-Plloçë-Maliq-Korçë-Kapshticë, Korçë-Voskopojë, Drenovë-Dardhë, Qafa e Qarrit-Ersekë-Leskovik, Qafa e Zvezdës-Dogana Goricë janë plotësisht të kalueshme. Nga strukturat e Emergjencave Civile nuk raportohen situata emergjente. Rrugët dytësore e lidhëse në bashki janë të kalueshme dhe pa probleme. Furnizimi me energji elektrike ka qenë normal.
I gjithë territori i Qarkut Kukës nga lartësia mbi 500 m është përfshirë nga reshje bore, me intensitet të ulët deri në mesatar, shoqëruar me temperatura të ulëta dhe erë të fortë. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Nga subjektet kontraktore është punuar gjatë gjithë kohës për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të tyre. Era e fortë ka shkaktuar shkëputje të çative në banesa, ndërsa ka shkëputje të energjisë në dy lagje të qytetit dhe disa fshatra.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se për ditën e sotme, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme për shkak të masave ajrore të lagështa dhe të ftohta me origjinë veriperëndimore.
Moti në pjesën e parë të ditës nisi me vranësira mesatare e deri të dendura, shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar, në pjesën më të madhe të territorit. Në relievet malore në lindje, në lartësitë mbi 700-800 metër ka reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht deri mesatar.
Pas orëve të mesditës, në zonën e veriut dhe qendër vijon mot kryesisht i kthjellët ndërsa në zonën e jugut, me kthjellime e vranësira, që shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët. Pas orëve të pasdites, mot i kthjellët në të gjithë territorin.
Era fryn me drejtim veriperëndim-verilindje e me shpejtësi mesatare 4-12 m/s ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era fiton shpejtësi 14-24 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 4-5 ballë.