Aktualitet

29 vatra zjarri në 24 orë, 10 mbeten aktive!

Për zjarret në vend, ku forcat në terren vijojnë të punojnë për izolimin dhe kontrollin e flakëve, njoftimi më i fundit zyrtar thekson se vatrat aktive më problematike janë regjistruar në këto zona:

1.         Në vendin e quajtur Liqeni i Luleve, Parku, Kombëtar Lurë, ku zjarri po zhvillohet në tre vatra, janë angazhuar rreth 100 forca nga të gjitha strukturat operacionale, ku sot i janë shtuar edhe 25 forca zjarrfikëse dhe bashkiake.

2.         2. Në fshatin Zall-Gjoçaj, bashkia Mat  vijon puna për shuarjen e zjarrit me rreth 60 forca vendore dhe nga Forcat e Armatosura, si dhe janë kryer 9 misione nga avioni Canadair kroat.

3.         Në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat, ndërhyrja edhe e dy helikopterëve të Forcës Ajrore solli përmirësim të situatës. Por sot po punohet për shuarjen përfundimtare të zjarrit.

4.         Po vijon puna në vatrën e zjarrit të rënë në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë,  ku në terren janë dislokuar katër automjete zjarrfikës dhe rreth 70 forca nga strukturat operacionale dhe kanë operuar 2 helikopterë Cougar të Forcës Ajrore.

5.         Puna vijon edhe në fshatin Ploç të Novoselës, ku janë dy vatra të tjera aktive.

6.         Pas ndërhyrjes së forcave operacionale, vatra e zjarrit në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, në Gjirokastër po zhvillohet me intensitet të ulët.

7.         Forcat e emergjencave, ndihmuar edhe nga mjete e 3 avionë dhe 1 helikopter nga shteti grek u angazhuan për shuarjen e zjarrit në fshatin Kakavijë, bashkia Dropull.

8.         Në zonën e Shmilit, Elbasan  vijon puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin e rreth 90 forcave nga strukturat operacionale.

9.         Në zonën e Shkopetit, në bashkinë Kurbin vijon aktiv zjarri, i cili është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Ka pasur një angazhim të lartë të forcave, gjithashtu edhe të 2 helikopterëve hungarezë, të ndarë në 3 misione, duke ulur ndjeshëm intensitetin e zjarrit. Aktualisht, banesat janë jashtë rrezikut. Sot do të vazhdojë puna për shuarjen e zjarrit, sërish edhe me ndërhyrjen e dy helikopterëve hungarezë.

10.       Në fshatin Dishnicë, Korçë, vazhdon zjarri ku po punojnë  rreth 70 forca të strukturave operacionale.

11.       Në fshatin Muzhak, qarku Berat,  zjarri i rënë në një terren malor e bën të vështirë ndërhyrjen, por puna vijon me dy mjete zjarrfikëse.

Forcat e angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarreve:

•           52 automjete zjarrfikëse

•           680 forca operacionale

•           215 efektivë  nga Forcat e Armatosura dhe 2 helikopterë nga Forca Ajrore si dhe 1 avion Canadair nga shteti kroat

•           2 helikopterë hungarezë, të angazhuar përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile

Gjatë ditës së sotme janë të angazhuar:

•           140 efektivë të Forcave të Armatosura

•           2 helikopterë nga Forca Ajrore

•           2 helikopterë hungarezë, në bashkëpunim me BE-në

Sipas IGJEO-s, sot nuk priten reshje në të gjithë territorin. Ndërsa sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në të gjitha qarqet dhe “SHUMË I LARTË” në qarkun e Korçës. Temperaturat pritet të arrijnë deri në 42 gradë Celsius në zonat e ulëta. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse çdo vatër të dyshimtë. Bashkëpunimi i qytetarëve mbetet jetik në këtë situatë”.