Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariateve të policive në Lushnjë dhe Sarandë, ka arrestuar tre shtetas për vepra të ndryshme penale e shpalli në kërkim një 19 vjeçar, si i dyshuar për vjedhjen e një shume parash.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, bënë të mundur kapjen dhe më pas ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për shtetasen R.M., 27 vjeçe, lindur në Vlorë dhe banuese në Lushnjë, e dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Vlorë dhe Sarandë arrestuan shtetasit:
* A. I., 36 vjeç, banues në Tepelenë, pasi më datë 28.03.2025, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, Vlorë, duke drejtuar automjetin tip “BMW”, ka aksidentuar këmbësoren, shtetasen E.K., 75 vjeçe, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës, Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.
* R.G., 50 vjeç, banues në Sarandë, pasi më datë 28.03.2025, në rrugën “Onhezmi”, Sarandë, dyshohet se drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për t’iu nënshtruar testit të alkoolit. Në vijim, ndaj tij u krye ekspertimi toksikologjik.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë shpallën në kërkim shtetasin A.S., 19 vjeç, banues në Sarandë, pasi më datë 25.03.2025, dyshohet se i ka vjedhur një shumë parash një shtetasi, në lagjen nr. 4, Sarandë.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.