Pijet “detox” janë bërë trend në rrjetet sociale, me premtime për pastrimin e trupit, humbje peshe dhe energji më të madhe. Por studiuesit dhe nutricionistët paralajmërojnë se duhet të jemi të kujdesshëm me pritshmëritë.
Trupi ynë ka tashmë sistemin e tij “detox”: mëlçinë, veshkat dhe zorrët, të cilat punojnë vazhdimisht për të eliminuar toksinat. Studimet tregojnë se një dietë e balancuar me fruta, perime, ujë të mjaftueshëm dhe konsum i ulët i alkoolit e ndihmon shumë më tepër këtë proces sesa pijet e shtrenjta “magjike”.
Megjithatë, disa lëngje të thjeshta shtëpie mund të jenë aleatë në dobësim, nëse përdoren me masë: uji me limon, çajrat bimorë pa sheqer, uji me kastravec, mente apo xhenxhefil. Këto ndihmojnë në hidratim, zëvendësojnë pijet me sheqer dhe mund të ulin ndjenjën e urisë.
Ekspertët theksojnë se pijet “detox” nuk janë zgjidhje mrekullie për humbjen e peshës. Ato mund të jenë pjesë e një stili jetese më të shëndetshëm, por nuk zëvendësojnë dot dietën e balancuar dhe aktivitetin fizik.