Gossip Showbiz

A$AP Rocky shmang pyetjen për martesën me Rihanna-n? Pse?

Reperi i njohur amerikan A$AP Rocky vijon të ruajë me kujdes jetën e tij private, duke shmangur detajet personale edhe në daljet publike.

Gjatë një paraqitjeje në episodin e 4 shkurtit të emisionit Celebrity Substitute, të moderuar nga Julian Shapiro-Barnum, artisti 37-vjeçar anashkaloi me elegancë një pyetje direkte që kishte të bënte me lidhjen e tij me këngëtaren Rihanna.

Në këtë format televiziv, ku nxënës të shkollave publike intervistojnë figura të njohura, një prej fëmijëve e pyeti Rocky-n nëse ai ishte i martuar me Rihanna-n. Reperi reagoi me diplomaci dhe humor, duke thënë fillimisht:

Është një pyetje interesante ajo që më bëre

-përpara se ta kthente situatën në shaka.

Ai e pyeti vogëlushin nëse do të preferonte që në vend të tij të ishte Rihanna, duke shtuar me të qeshur:

Ti do Rihanna-n, apo jo? Sot ke mua

A$AP Rocky, emri i vërtetë i të cilit është Rakim Mayers, dhe Rihanna e konfirmuan publikisht lidhjen e tyre në nëntor të vitit 2020.

Që prej asaj kohe, çifti është bërë prind i tre fëmijëve: djemtë RZA Athelston, 3 vjeç e gjysmë, dhe Riot Rose, 2 vjeç, si dhe vajza e tyre më e vogël, Rocki Irish, e lindur në shtator të vitit të kaluar.

Gjatë intervistës, reperi ndau edhe detaje nga jeta familjare, duke treguar se ai dhe Rihanna po i rrisin fëmijët në një ambient të mbushur me muzikë. Sipas tij, në shtëpinë e tyre dëgjohen zhanre të ndryshme, që variojnë nga Michael Jackson dhe The Beatles, deri te muzika psikedelike dhe reggae.

Jetojmë në një shtëpi muzikore, shumë të larmishme

-u shpreh ai.

Së fundmi, Rocky ka kujtuar edhe takimin e parë me Rihanna-n, duke zbuluar se u njohën jashtë një klubi nate në Nju Jork, në një periudhë kur ai ende nuk ishte bërë i famshëm.