E propozuara e LVV-së për postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, tha se nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrin të konstituohet, siç po ndodh prej gjashtë herësh tashmë, “atëherë është e qartë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje”.
Duket që ka mungesë të vullnetit që të konstituohet Kuvendi i Kosovës, por ne jemi shumë të gatshëm që t’i presim partitë politike që të flasim me to për datën e zgjedhjeve, tha Haxhiu.
E pyetur nëse do të tërhiqej nga kandidatura për postin e kryeparlamentares pas dështimit për të katërtën herë, u shpreh se “Vetëvendosja ka qëndrim të qartë”.
Përfaqësuesit e LVV-së kanë këmbëngulur në kandidaturën e Haxhiut, duke thënë se nuk iu takon partive të tjera ta përcaktojnë propozimin e LVV-së.
Deputeti dhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i bëri thirrje partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, t’ua hapë rrugën partive të tjera parlamentare për formimin e institucioneve të reja.
Besoj se tashmë është bërë e qartë se partia që i ka fituar zgjedhjet nuk i ka votat dhe është koha të lëshojë rrugë për të krijuar një shumicë e cila do t’i themelonte institucionet, deklaroi Limaj për gazetarët.
Ndërkaq, konfirmoi se partia e tij nuk ka marrëveshje politike me asnjë parti. Edhe sot, deputetët dështuan që të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, në përpjekjen e gjashtë. Kjo pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme. Haxhiu u mbështet nga 57 kartona, katër më pak se minimumi prej 61-shit të domosdoshëm për t’u zgjedhur.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, hodhi akuza se Lëvizja Vetëvendosje, me qëllim nuk dëshiron ta zhbllokojë konstituimin e Kuvendit, se sipas tij, nuk po ndryshon propozimin për postin e kryeparlamentarit. Ai vuri në dukje se kjo po bëhet pasi LVV-ja nuk i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë e re.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, thekson se partia e tij nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht mungesës së votave. Kundërshtimet i quan taktika, më shumë se arsye konkrete. Murati iu bëri thirrje partive, të “reflektojnë”.