Health & Beauty

Analiza e re e gjakut mund të ndihmojë në diagnostikimin e pacientëve me këtë sëmundje…

Në Mbretërinë e Bashkuar po testohet një analizë e re gjaku për të zbuluar shenjat e hershme të demencës. Shpresohet se kjo analizë mund të bëjë të mundur diagonsitikimin e shpejtë të sëmundjes, në mënyrë që pacientët të mund të përfitojnë nga ilaçet që ngadalësojnë përparimin e saj. Zonja Everill është një nga pacientët e parë që merr pjesë në studimin shkencor “Sfida e Biomarkerit të Gjakut”, në të cilën përdoret një test gjaku për të diagnostikuar demencën. “Nuk e di nëse do mund të merrja ndonjë ilaç. Nëse mund të marrë ndonjë ilaç që më ndihmon të ruaj kujtesën, të mbaj trurin në lëvizje dhe të vazhdoj të kujtoj”-thotë ajo. 67 vjeçarja u diagnostikua me humbje të kujtesës (MCI) rreth një vit më parë. Nëna e saj vuante me sëmundjen e Alzheimerit ndaj ajo donte të vepronte shpejt për të kuptuar gjendjen e saj.

Skanimet spitalore tregojnë se gjendja e saj anon drejt Alzheimerit, por ende nuk e ka marrë diangozën përfundimtare nga ana e mjekëve. Sipas Shoqatës së Alzheimerit vetëm 2% e pacientëve kanë qasje tek testet “e arta” si skanerat PET, që skanojnë funksionimin e organeve dhe të indeve në nivel molekular, apo marrjen e një analize në shtyllën kurrizore. Mostrat e gjakut do të skanohen për një seri proteinash dhe treguesish të tjerë në gjak, të lidhura me demencën. Studimi drejtohet nga profesoresha Vanessa Raymon, në Universitetin e Oksfordit. Sipas saj, këto analiza do të ndihmojnë në identifikimin e pacientëve që mund t’i përgjigjen mirë trajtimit.

“Po zhvillohen shumë barna të tjera që ka të ngjarë të licencohen dhe potencialisht të gjenden në sistemin shëndetësor britanik në vitet e ardhshme. Tani ato barna janë të përshtatshme për ata njerëz që kanë nivele mjaft të hershme të dëmtimit të kujtesës. Kështu që duhet të marrim diagnozën e duhur për të parë nëse njerëzit kualifikohen dhe do të përfitojnë nga ato barna”-shprehet Vanessa Raymon nga Universiteti i Oksfordit.

Ilaçet e reja, Leqembi dhe Kisunla, mund të ngadalësojnë përkeqësimin e simptomave, por ato vlejnë vetëm në fazat më të hershme të Alzheimerit dhe vërtetimi në kohë se pacientët duhet të marrin këto barna, mund të jetë i vështirë. Profesoresha Fiona Carragher, drejtuese e politikave dhe kërkimeve në Shoqatën e Alzheimerit thotë se sfida e matjes së treguesve në gjak ka të bëjë me revolucionarizimin e rrugës diagnostikuese. Dhe testi i gjakut është një pjesë kyçe e kësaj. Sipas Shoqatës së Alzheimerit demenca paraqet krizën më të madhe shëndetësore dhe të kujdesit social në Mbretërinë e Bashkuar.