Në një intervistë për emisionin “Breaking” në Top News, kreu i SPAK-ut, Arben Kraja bëri të ditur sot se lidhur me çështjen e shitblerjes së votës në zgjedhjet e 25 prillit, denoncimet ishin të shumta. Ato kanë ardhur nga qytetarë, subjekte politike, si edhe media. Kraja tha se “për rastet që janë kompetencë e strukturës së Prokurorisë së Posaçme, nisën hetimet”.
Kemi pasur shumë denoncime, nga subjektet, nga policia, media dhe të gjitha janë vlerësuar me përparësi. I gjithë sektori që kemi ka qenë në dispozicion të rasteve të tilla dhe kur ka qenë kompetencë e jona kemi filluar hetimet. Hetimi ka kohën e vet, ka afate ligjore dhe kur të përfundojë ne do t’i bëjmë të ditura rezultatet. Në Ditën e Drejtësisë dua të jap mesazhin që ne jemi aty, jemi shumë seriozë dhe do vazhdojmë kështu si e kemi nisur!
Ndërsa SPAK-u rihapi dosjen e Gërdecit dhe i kërkoi Gjykatës së Lartë nisjen e gjyqit ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për shpërthimet e 15 marsit 2008, me 26 të vrarë e 300 të plagosur, Arben Kraja tha se “deri tani nuk ka prova të reja por u vendos që të rihapet dosja sepse akuzat ndaj Mediut nuk janë hetuar për shkak të imunitetit parlamentar”.
Arben Kraja u pyet nëse po hetohen grupet kriminale të goditura për pastrim parash në fushën e ndërtimit?
Ka një hetim pasuror themi ne. Ishin hetimet pasurore që kryem ne në kuadër të Aktit Normativ, pra Operacioni Forca e Ligjit që patëm rreth 251 raste të referuara nga Policia e Shtetit dhe që u zgjidhën nga ana jonë. Aty ka pasur shumë verifikime të investimeve të kryera nga persona që janë të përfshirë në akte kriminale. Por edhe në bazë të ligjit Antimafia, ne aplikojmë shumë verifikime pasurore dhe pastaj bëjmë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë!
Numri një i SPAK-ut veçon korrupsionin mes pikave më problematike ndërsa shton se nuk mbetet jashtë as tregu informal.
Nga pikëpamja e korrupsionit ka më shumë problematika, por edhe nga tregu informal. Ka shumë informalitet që e bën më të vështirë të hetosh e të mbledhësh prova!
Ndërsa në lidhje me kërcënimet që mund të marrin nga personazhe që janë pjesë e botës së krimit, Kraja tha se janë përzgjedhur për të përballuar çdo presion.