Aktualitet

Armë drejt policisë në Mamurras, lihen në burg dy 23 vjeçarë!

Do të qëndrojë në burg 23-vjeçari Amadeo Fufi, i cili u arrestua nga policia në Mamurras, pasi shoqëronte një person në kërkim dhe i drejtoi armën efektivëve blu. I riu u njoh me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.

Pasi dëgjoi palët, gjyqtari Delvijot Lusha pranoi kërkesën e prokurorisë, duke e cilësuar “të ligjshëm” arrestimin e Amadeo Fufit dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Shtetit”.

Ndërsa 23-vjeçari tjetër, Leonard Dema u njoh me masën e sigurisë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr mjekim pas plagosjes gjatë aksionit të policisë.

Gjykata vendosi që ai të qëndrojë në burg me qëllim ekstradimin drejt Italisë, pasi është dënuar nga Gjykata e Trentos për kryerjen e veprës penale “Tentativë vrasjeje”, të parashikuar nga legjislacioni penal italian.