Aktualitet

Atentat mafioz me tritol në Sarandë/Hidhet në erë makina, vdes drejtuesi!

Një 58-vjeçar mbeti viktimë e një atentati të mirëorganizuar mbrëmjen e djeshme, në qytetin bregdetar të Sarandës. Një mjet u hodh në erë me tritol, ndërsa shtetasi Isuf Jaçaj, i cili ishte brenda në një makinë tip “Toyota” humbi jetën nga shpërthimi i fortë.

Sot (e shtunë 04.10), rreth orës 22:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të shtetasit I.J. Ky shtetas dyshohet se është edhe personi që ndodhej brenda në automjet i cili si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën, informoi Policia e Sarandës.

Ngjarja e rëndë ndodhi pikërisht në lagjen numër 3, aty ku Klaus Jaçajt, djalit të viktimës, 3 muaj më parë i hodhën në erë mjetin me tritol. Kjo ngjarje mbeti e pazbardhur. Shpërthimi tronditi qytetin bregdetar jugor dhe policia nisi hetimet.

Vrasja e 58-vjeçarit dyshohet për motive hakmarrjeje. Klaus Jaçaj, 31 vjeç, është përfshirë në një ngjarje kriminale më 17 korrik në Sarandë e ndodhet në burg.

Eshtë fjala për konfliktin me armë zjarri lidhur me administrimin e një plazhi. Ka informacione se viktima merrej me turizëm duke bërë transport pushuesish me skaf, si edhe drejtonte guida turistike.

Çfarë ndodhi më 17 korrik?

Në qytetin e Sarandës, dy të rinj u plagosën me armë zjarri nga Ramadan Zoto alias Canaj, 43 vjeç, pas një konflikti për një tokë në bregdet. Zoto qëlloi me armë ndaj Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamës. Ishte Klaus Jaçaj, i cili e ndihmoi Zoton të largohej nga vendi i ngjarjes, bashkë me të vëllanë Erjon Canaj, 36 vjeç. Klaus Jaçaj u arrestua vetëm një javë pas përplasjes, ndërsa Ramadon Zoto ra në pranga më 22 gusht në qytetin e Korçës.