Bota

Avioni i rrëzuar në Kazakistan, hipotezat!

Dhjetëra persona i kanë mbijetuar një përplasjeje të një avioni me 67 persona në bord në Kazakistan, theksuan zyrtarët lokalë për BBC-në. Autoritetet kazake thanë se 38 persona humbën jetën në aksident.

Avioni ishte nisur për në Grozny në Rusi, por u devijua për shkak të mjegullës, siç raportoi linja ajrore për BBC.

Kremlini vuri në dukje se nuk do të “paraqesë hipoteza” për shkakun e rrëzimit derisa hetimi të përfundojë. Fluturimi “J2-8243” i “Azerbaijan Airlines” mori flakë teksa po përpiqej të bënte një ulje emergjente pranë qytetit të Kazakistanit, Aktau.

Pamjet tregojnë avionin duke u nisur drejt tokës me shpejtësi të madhe me pajisjen e uljes të ulur, përpara se të marrë flakë në ulje. Linja ajrore tha se avioni “bëri një ulje emergjente” rreth 1,9 milje nga Aktau.

Ai u ngrit nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku në orën 03:55 GMT, të mërkurën, dhe u rrëzua rreth orës 06:28, treguan të dhënat nga faqja e internetit për gjurmimin e fluturimeve “Flightradar24”. Raportet e pakonfirmuara në mediat ruse thanë se avioni mund të jetë përplasur me një tufë zogjsh përpara se të rrëzohej.

Prokurori i Përgjithshëm i Azerbajxhanit u shpreh se “të gjithë skenarët e mundshëm” po shqyrtoheshin dhe presidenti Ilham Aliyev tha se ”ishte shumë herët për të thënë ndonjë gjë përfundimtare.” Ekspertët e mbrojtjes ajrore kanë sugjeruar se modeli i dëmtimit brenda dhe jashtë avionit tregon se mbrojtja ajrore aktive ruse në Grozni mund të ketë shkaktuar rrëzimin.