Gossip Showbiz

Bebe Rexha shokon me pamjet nga klipi i këngës “Çike Çike”, projekti i ri me vargje shqip!

Këngëtarja me famë botërore Bebe Rexha ka rritur entuziazmin e fansave duke paralajmëruar publikimin e këngës së dytë nga albumi i saj i ri në ardhje, Dirty Blonde, e cila do të publikohet këtë të premte.

Projekti i ri titullohet Çike Çike dhe po pritet me interes të madh, veçanërisht nga publiku shqiptar, pasi përfshin vargje në gjuhën shqipe që tashmë janë bërë virale në rrjetet sociale: “Çike çike luj belin çike, ti je një bombë, bombë atomike”.

Kënga do të publikohet e shoqëruar me videoklip, pasi albumi “Dirty Blonde” është konceptuar si një projekt vizual, ku të 13 këngët do të prezantohen secila me klipin përkatës.

Së fundmi, Rexha ka ndarë një trailer të shkurtër në Instagram, duke shtuar kureshtjen e publikut. Ajo e shoqëroi videon me një mbishkrim provokues, duke sinjalizuar se projekti do të ketë energji të fortë dhe stil të guximshëm artistik.

Pamjet e para nga klipi tregojnë një imazh ndryshe të artistes, në një skenar provokues ku ajo shfaqet në një raport flirtues me një burrë shumë më të moshuar, madje në një moment shihet edhe duke e puthur atë.

Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendje është tatuazhi me emrin “Bebe” në barkun e personazhit mashkull, ndërsa këngëtarja shfaqet me stilin e saj karakteristik ekstravagant.

Fansat tashmë po numërojnë ditët deri në publikimin e plotë të këngës, ndërsa pritshmëritë janë të larta që “Çike Çike” të shndërrohet në një nga hitet më të diskutuara të sezonit dhe një moment i rëndësishëm që forcon lidhjen artistike të Rexhës me rrënjët e saj shqiptare.