Marrëdhënia mes Bianca Censori dhe Kanye West duket se ka qenë e tensionuar prej kohësh. Një burim pranë gruas së reperit ka zbuluar se 31-vjeçarja kishte tentuar disa herë t’i jepte fund martesës, për shkak të pakënaqësisë së saj të vazhdueshme.
Deklaratat vijnë në një moment delikat për Kanye West, pas polemikave të forta që ai shkaktoi me komente antisemite dhe raciste, për të cilat më pas kërkoi falje, duke i atribuar sjelljen e tij çrregullimit bipolar. Sipas burimeve, këto episode kanë ndikuar ndjeshëm edhe në jetën personale të çiftit.
Bianca kishte qenë shumë e pakënaqur në martesën e tyre për njëfarë kohe dhe u përpoq të largohej disa herë
-i tha një burim revistës People, duke shtuar se situata u përkeqësua përpara se West të vendoste të shkonte në një qendër rehabilitimi.
Në një intervistë me email për Vanity Fair, të publikuar më 28 janar, reperi 48-vjeçar foli hapur për gjendjen e tij mendore.
Ai pranoi se kishte kaluar një “episod të thellë depresiv”, të shkaktuar, sipas tij, nga një ilaç antipsikotik, dhe se për këtë arsye përfundoi në një qendër rehabilitimi në Zvicër.
Një tjetër burim pranë Kanye West përshkroi një model të përsëritur sjelljeje.
Ai ka qenë në këtë rreth vicioz për vite me radhë. Kur nuk ndihet mirë, tenton të krijojë drama të mëdha, të cilat sjellin pasoja afatgjata
-tha burimi për People. Sipas tij, kur West arrin një gjendje më të qëndrueshme emocionale, ai kupton dëmin që u ka shkaktuar familjes, miqve dhe vetes, gjë që sjell ndjenja të forta faji dhe keqardhjeje.
Kjo e bën shumë të vështirë për të të qëndrojë i shëndetshëm emocionalisht. Në momentin që fillon të mendojë më qartë, pasojat tashmë janë grumbulluar
-shtoi burimi.
Pavarësisht deklaratave dhe përpjekjeve për rehabilitim, mbetet e paqartë nëse marrëdhënia mes Bianca Censori dhe Kanye West do të arrijë të mbijetojë përballë krizave të njëpasnjëshme që kanë shënuar martesën e tyre.