Gossip Showbiz

Kanye West kërkon falje publikisht: “Humba kontaktin me realitetin. Nuk jam antisemit”

Pas vitesh polemikash, deklaratash të papërshtatshme dhe akuzash për antisemitizëm, reperi dhe biznesmeni Kanye West ka bërë një hap të papritur publik, duke publikuar një letër faljeje në një reklamë full-page të paguar nga marka e tij Yeezy, e botuar më 26 janar në “The Wall Street Journal”.

Në letrën e gjatë dhe personale, West shpreh pendesë të thellë për sjelljet dhe deklaratat e tij të kaluara, duke i lidhur ato me problemet e shëndetit mendor.

Ai zbulon se vuan nga çrregullimi bipolar tip-1, i cili, sipas tij, ka ndikuar drejtpërdrejt në humbjen e kontaktit me realitetin dhe në gjykimin e dobët gjatë episodeve maniake.

West e nis letrën duke iu referuar një aksidenti të rëndë automobilistik në vitin 2002, i cili i shkaktoi dëmtime në tru. Ai shprehet se pasojat neurologjike të këtij aksidenti nuk u kuptuan plotësisht deri në vitin 2023, kur edhe u vendos diagnoza e saktë.

Ndihesh sikur e sheh botën më qartë se kurrë, kur në të vërtetë po humb kontaktin me realitetin

-shkruan ai.

Reperi pranon se ka lënduar njerëzit më të afërt të tij dhe se ka shkaktuar frikë, konfuzion dhe poshtërim me veprimet e tij. Ai shprehet se është ndjerë i etiketuar si “i çmendur” dhe i pavlerë për shoqërinë, ndërsa sjellja e tij e pakontrolluar e ka çuar drejt simbolikave dhe deklaratave shkatërruese.

Në letrën e faljes, West thekson qartë:

Nuk jam nazist dhe nuk jam antisemit. I dua njerëzit hebrenj.

Ai përmend gjithashtu se ka humbur partneritete të mëdha, përfshirë bashkëpunimin me Adidas, dhe se është përballur me padi ligjore nga një ish-punonjëse e Yeezy për diskriminim dhe kërcënime.

Duke cituar studime të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Universitetit të Cambridge, West vë në dukje se çrregullimi bipolar mund të ndikojë edhe në jetëgjatësinë e individëve.

Kanye zbulon se bashkëshortja e tij, Bianca Censori, ka luajtur një rol kyç duke e nxitur të kërkojë ndihmë profesionale në momentet më të errëta.

Ai pranon se ka përjetuar episode psikotike, paranojë dhe mendime vetëvrasëse, por thotë se tashmë ndjek një regjim të qëndrueshëm medikamentesh, terapi, aktiviteti fizik dhe një stili jetese më të shëndetshëm.

Fjalët e mia si figurë publike kanë ndikim global. Gjatë manisë e humba plotësisht këtë perspektivë

-shkruan ai, duke shtuar se tani po përpiqet ta kanalizojë energjinë e tij në art pozitiv dhe kuptimplotë.

Në fund të letrës, Kanye West thekson se nuk kërkon simpati apo falje të menjëhershme, por durim dhe mirëkuptim:

Shkruaj sot thjesht për të kërkuar durimin tuaj ndërsa përpiqem të rikthehem tek vetja ime e vërtetë.