Bota

Bisedimet në Florida, Rusia: Ishin konstruktive!

Kirill Dmitriev, negociator i lartë i Kremlinit, tha se “Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po bisedojnë në mënyrë konstruktive në Florida e se negociatat e paqes do të vazhdojnë sot”, ndonëse nuk ka detaje të tjera.

Diskutimet po zhvillohen në mënyrë konstruktive.

Të gjitha palët e përfshira në procesin e paqes të ndërmjetësuar nga Amerika kanë përmendur rregullisht “përparimin” ose bënë vlerësime të ngjashme, pa dhënë detaje.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar bisedimet. I dërguari amerikan, Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, përfaqësuan Uashingtonin. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, pati njoftuar se mund të merrte pjesë në bisedimet e fundjavës, por nuk u ofruan hollësi.

Diskutimet në SHBA janë hapi më i fundit në përpjekjet e Trump-it për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, që ka marrë mijëra jetë e po i afrohet vitit të katërt.

Muajin e kaluar, Trump nisi që të ushtrojë presion mbi Kievin që të pranojë një propozim me 28 pika, të cilin kritikët e vlerësuan se ndjeshëm ishte në favor të Rusisë.

Ukraina dhe mbështetësit e saj europianë u angazhuan me urgjencë për të bërë ndryshime, me synim mbrojtjen e interesave të Ukrainës lidhur me territorin, garancitë e sigurisë për Kievin, si dhe çështje të tjera. Referuar raportimeve, tani plani përbëhet nga 20 pika e përfshin më shumë nga interesat e Ukrainës.

Para bisedimeve në Florida, Rubio këmbënguli se Uashingtoni nuk do ta detyrojë asnjërën palë të pranojë një marrëveshje.

Nuk mund ta detyrojmë Ukrainën të bëjë një marrëveshje. Nuk mund ta detyrojmë Rusinë të bëjë një marrëveshje. Ato duhet të duan vetë të bëjnë një marrëveshje. Mendoj se kemi bërë përparim [në proces], por ende kemi rrugë për të bërë. Padyshim, çështjet më të vështira janë gjithmonë ato të fundit, shtoi kryediplomati amerikan.

Detajet e planeve që po përpunohen mbeten të paqarta, por kornizat e përgjithshme parashikojnë që Ukraina duhet të bëjë lëshime territoriale, në këmbim të garancive të sigurisë.

Deklaratat e fundit vijnë pas një jave tjetër me aktivitet të shtuar diplomatik e ushtarak, teksa Rusia po vazhdon të godasë objektiva civile, infrastrukturë dhe shënjestra ushtarake në Ukrainë.

Ndërkaq, Kievi po përpiqet të mbrojë terrenin në lindje të vendit dhe kundërpërgjigjet me sulme ndaj atyre që thotë se “janë objektiva me rëndësi ushtarake brenda Rusisë”.