Aktualitet

Breshër jo i zakontë në Fushë Arrëz, dëme në bujqësi, çati e makina!

Orët e fundit, moti i keq me breshër shkaktoi dëme për të mbjellat në Fushë Arrëz, në veri të vendit. Raportohet se në Fierzë, në fshatrat Aprrip i Gurit, Bugjon e Iballë, stuhia solli shkatërrim për bujqësinë e bletarinë.

Dëme të konsiderueshme ka në çatitë e banesave dhe në shumë makina të banorëve, duke iu thyer xhamat. Bashkia Fushë-Arrëz, me Zyrën e Emergjencave Civile, si dhe të tjerë pushtetarë lokalë po punojnë në terren për evidentimin e dëmeve. Fundjava rikthen paqëndrueshmërinë e motit, me vranësira e reshje shiu.

Edhe disa fshatra në fushën e Maliqit janë përfshirë nga reshje të dendura shiu e breshëri që përbëjnë problem sidomos për grurin, në prag të sezonit të korrjes. Situata më e rënduar paraqitet në fshatin Vreshtas.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se për ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Fillimisht, moti parashikohet  me kthjellime e vranësira të pakta deri mesatare kalimtare.

Duke filluar prej orëve të mesditës dhe kryesisht në orët e nxehta të ditës që përkojnë me ato të drekës, përgjatë relieveve kodrinore-malore, parashikohet shtim vranësirash mesatare, deri të dendura.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpas’hershme, me intensitet të ulët deri mesatar.

Parashikohet që në periudha afatshkurtra, reshjet të jenë në formën e shtrëngatave dhe rrebesheve, shoqëruar me breshër e shkarkesa elektrike të forta. Në periudha tepër afatshkurtra, reshjet do të jenë të rrëmbyeshme.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim, me shpejtësi mesatare 1-5 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore, hera-herës era fiton shpejtësi 6-8 m/s. Valëzimi në dete do të jetë i forcës 0-1 ballë.

Temperaturat luhaten:

Shkodër
22/31
Diell re/shi

Kukës
18/30
Diell re/shi

Lezhë
21/31
Diell re/shi

Dibër
18/30
Diell re/shi

Durrës
21/30
Diell re/shi

Tiranë
23/32
Diell re/shi

Elbasan
22/33
Diell re/shi

Berat
20/33
Diell re/shi

Vlorë
21/30
Diell re/shi

Korçë
18/29
Diell re/shi

Gjirokastër
18/30
Diell re/shi

Sarandë
18/30
Diell re/shi