Gossip

Dani Alves bëhet baba pas stuhisë ligjore: Joana Sanz sjell në jetë fëmijën e tyre të parë!

Dani Alves dhe bashkëshortja e tij, Joana Sanz, kanë mirëpritur fëmijën e tyre të parë, sipas raportimeve të “Vanitatis”.

Lindja ka ndodhur në Barcelonë, ku jeton çifti, dhe më pas ata janë zhvendosur në Esplugues de Llobregat, ku po marrin vizita nga miqtë dhe familjarët më të afërt.

Ardhja e foshnjës vjen në një moment të veçantë për çiftin, pasi Joana Sanz kishte njoftuar shtatzëninë më 31 mars, vetëm tre ditë pasi Gjykata e Lartë e Drejtësisë në Katalonjë (TSJC) e liroi Dani Alves nga akuzat për përdhunim, për të cilat ai ishte fillimisht dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burg.

Pavarësisht betejës së gjatë ligjore që zgjati më shumë se një vit dhe që bëri bujë ndërkombëtare, çifti ka qëndruar bashkë dhe tashmë ka zgjedhur të rifillojë jetën e tyre private, larg syrit të medias.

Ish-futbollisti brazilian kaloi 15 muaj në paraburgim, përpara se të dënohej për një incident të ndodhur në dhjetor të vitit 2022, në një klub nate në Barcelonë.

Ai u dënua me 4.5 vjet burg dhe u urdhërua të paguante 150 mijë euro dëmshpërblim për viktimën.

Megjithatë, pas apelimit të vendimit, Alves u lirua me kusht dhe më vonë u shpall i pafajshëm për shkak të “mungesës së provave përfundimtare”.

Pavarësisht kësaj, viktima dhe prokuroria kanë paraqitur ankesa të reja, duke e lënë çështjen ende të hapur dhe në pritje të një vendimi përfundimtar.

Lindja e fëmijës së parë të çiftit shënon një kapitull të ri në jetën e Dani Alves dhe Joana Sanz, pas një periudhe të trazuar si në planin personal ashtu edhe në atë publik.