Dani Alves është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë jo për futbollin, por për besimin e tij fetar. Pas vendimit të Gjykatës Supreme më 28 mars 2025, e cila e shpalli të pafajshëm për akuzën e sulmit seksual, ish-mbrojtësi brazilian po jeton një jetë të re, të përkushtuar ndaj Zotit.
Alves, i cili më herët ishte dënuar me katër vite e gjysmë burg, tani shfaqet shpesh nëpër kisha si predikues evangjelist. Ditët e fundit, video të tij duke folur para besimtarëve në një kishë në Girona janë përhapur gjerësisht në rrjetet sociale.
Duhet të keni besim, vëllezër të mi, unë jam dëshmi e Tij
-dëgjohet të thotë ai, me mikrofon në dorë dhe qëndrim energjik, teksa flet për besimin e tij të plotë në Jezu Krishtin.
Alves tregon edhe për një “marrëveshje shpirtërore” që thotë se ka bërë me Zotin:
Ajo që premton Zoti, Zoti e përmbush. I thashë: Zot, bëj një besëlidhje me ty. Do të të shërbej, por ti kujtohu shtëpisë sime. Ti preke zemrat.
Ai u flet të rinjve për ambiciet dhe rreziqet e famës:
Mund të bëheni të famshëm, mund të bëheni të pasur… mund të jeni çfarë të doni në jetën tuaj, sepse jeni të rinj. Aspironi gjëra të mëdha, unë besoj në gjëra të mëdha. Por mos u largoni nga rruga juaj te Jezusi. Sepse nëse largoheni nga rruga te Jezusi, do të hyni në errësirë, ashtu si hyra unë.
Në një moment tjetër të regjistruar nga besimtarët, ai thekson se Zoti është i afërt me të gjithë:
Mos mendoni se Zoti që është atje është larg nga ju që jeni këtu.
Kështu, pas rrugëtimit të trazuar ligjor dhe mediatik, Dani Alves po përpiqet të rindërtojë imazhin dhe jetën e tij përmes fesë dhe predikimit, duke u paraqitur si një njeri që ka kaluar “nëpër errësirë” dhe thotë se ka gjetur dritën te Jezusi.