Showbiz

Dani Alves rikthehet në paqe pas lirimit: “Bëra një marrëveshje me Zotin”

Dikur i vlerësuar si një nga mbrojtësit më të mirë në historinë e futbollit, Dani Alves po përpiqet të rindërtojë jetën e tij pas një periudhe të errët.

Pas 14 muajsh në burg, ish-ylli brazilian u lirua disa muaj më parë, pasi gjykata spanjolle nuk arriti ta dënojë përfundimisht për akuzën e përdhunimit të një vajze 23-vjeçare në Barcelonë, për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme.

Sot, në moshën 42-vjeçare, Alves jeton një jetë shumë më të qetë dhe të tërhequr, larg botës së shndritshme të futbollit dhe jetës së natës që e karakterizonte dikur. Në vend të kësaj, ai është përqendruar te besimi dhe reflektimi shpirtëror.


Në disa video që janë përhapur së fundmi në rrjet, Alves shihet duke mbajtur një fjalim në një kishë në Spanjë, ku ndan përvojën e tij personale dhe mënyrën se si feja e ndihmoi të rigjejë paqen.

Duhet të kemi besim, vëllezërit e mi. Unë jam prova e kësaj. Sepse atë që Zoti premton, e përmbush

-u shpreh ai gjatë predikimit.

Në trazira, në stuhi, gjithmonë ka një lajmëtar të Zotit. Dhe ky lajmëtar, në momentin më të keq të jetës sime, më mori në krahë, më çoi në Kishë, në rrugën e drejtë. Sot jam këtu falë tij. Bëra një marrëveshje me Zotin. ‘Unë do të të shërbej ty, por ti ruaj shtëpinë time. Prek zemra…’

Deklaratat e Alves kanë ndarë mendimet e publikut. Disa e shohin këtë si një përpjekje për reflektim dhe ndryshim, ndërsa të tjerë mbeten skeptikë ndaj sinqeritetit të tij, duke kujtuar se rasti për të cilin u akuzua shkaktoi një reagim të fortë në opinionin publik.

Megjithatë, ajo që duket e qartë është se Dani Alves, dikur simbol i luksit dhe suksesit, tani ka zgjedhur të tregojë një anë krejt tjetër të vetes, atë të një njeriu që kërkon falje, qetësi dhe një fillim të ri.