Debate mbi afatet e Reformës Territoriale, gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. Gazment Bardhi tha se komisioni nuk e ka kryer punën, ndërsa Taulant Balla kundërshtoi, duke deklaruar se si maxhorancë, nuk pati një kërkesë për zgjatjen e afatit të punës.
Bardhi: Dje na erdhi një e-mail me një raport për Reformën Territoriale. Ne nuk e dimë se nga vjen ky dokument dhe nuk sqarohet askund origjina e tij. Kuvendi nuk mund ta trajtojë në këtë mënyrë. Nuk mundet që Kryetari i Kuvendit të sjellë dokumente, për të cilat nuk dihet se nga vijnë.
Prandaj e pyes Kryetarin e Kuvendit, se ku e ka marrë këtë dokument? Komisioni për Reformën Territoriale nuk ka miratuar asnjë dokument. Duhet të bëhemi seriozë. Nuk mund të marrim një dokument, sikur Arbi Mazniku të ketë shkruar një doktoraturë dhe ta sillni ju këtu. Si mund të vijë një dokument në Kuvend pa kaluar më parë në komision?
Po ju them se komisioni nuk e ka kryer punën. Ka pasur shtatë detyra dhe janë realizuar vetëm dy. Në planin e punës janë 16 pika, nga të cilat janë realizuar vetëm tre. Komisioni nuk ka kryer as konsultat e parashikuara. Prandaj kemi kërkuar shtyrjen e afatit të komisionit.
Për pikën e parë të Konferencës së Kryetarëve, miratimi i kalendarit të punimeve, nuk pati dakordësi, pasi opozita kundërshtoi se nuk përfshiheshin projektligjet e saj.
Balla: Si maxhorancë, nuk patëm një kërkesë për zgjatjen e afatit të punës së komisionit dhe në këto kushte, sollëm produktin e punës. Kjo është praktikë e njohur.
Po ju kujtoj se kemi edhe një komision tjetër, atë të Reformës Zgjedhore. Për atë komision, na erdhi një kërkesë për shtyrje dhe e kemi pranuar. Për Reformën Territoriale nuk kemi pasur një kërkesë të tillë.
Në këto kushte, Konferenca e Kryetarëve, para pak ditësh, siç vendosi shtyrjen e afatit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, për Reformën Territoriale iu dha mundësinë bashkëkryetarëve të komisionit të paraqesin produktin e punës së tyre.
Nuk ka mbaruar puna për Reformën Territoriale. Doni të bëni reformë apo teatër? Ju nuk keni pyetur as 30% të qarkut më të madh, siç është Tirana.
Nëse doni ta prishni konsensusin, bëjeni! Por, mos na vini këtu me teatro. Ne po ju themi se puna në Komisionin për Reformën Territoriale nuk ka përfunduar. Ka ende nevojë për punë, sepse kjo reformë prek drejtpërdrejt qytetarët. Eshtë reformë e rëndësishme.
Demokrati Luçiano Boçi: Rregullorja e thotë qartë: Kuvendi nuk mund të shqyrtojë asnjë dokument që vjen nga institucione të tjera, përveçse përmes rrugës parlamentare. Ky raport që doni të kaloni sot, nuk është produkt i Komisionit Parlamentar.
Nuk mund të ketë raport përfundimtar, pa kaluar më parë në komision. Ju thoni se ka mbaruar afati. Po unë them se nuk ka mbaruar puna. Si mund të ketë raport përfundimtar për një punë të pambaruar? Eshtë kaq e thjeshtë.