Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë nga forcat ruse, duke dënuar veprimin dhe shprehur mbështetje të plotë për vendin aleat.
Në një postim në rrjetet sociale ai thekson se Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj ndaj unitetit të Aleancës së NATO-s dhe garantimit të mbrojtjes kolektive për të gjithë vendet anëtare.
LEXO EDHE: Rusia reagon pas akuzave nga Varshava: Dronët tanë nuk ishin të destinuar për territorin polak
Ky reagim vjen në një moment tensionesh të shtuara mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s, pas zhvillimeve të fundit ushtarake pranë kufirit lindor të Aleancës.
“Shqipëria dënon shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia. Ne shprehim solidaritetin tonë të plotë me Poloninë dhe mirëpresim reagimin e saj, në koordinim me NATO-n, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj unitetit të Aleancës dhe ndaj sigurimit të mbrojtjes kolektive të të gjithë Aleatëve“, shprehet Begaj.
“Ajo që ndodhi në Poloni ishte e rrezikshme, pavarësisht nëse ishte e qëllimshme apo jo, ishte absolutisht e pamatur dhe e rrezikshme”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Ndërsa Moska mohon se dronët e rrëzuar në hapësirën ajrore polake ishin rusë, Mark Rutte vëren se “vlerësimi i incidentit është duke vazhduar”.
Në fakt, Mark Rutte i dërgoi gjithashtu një mesazh presidentit rus, Vladimir Putin, duke theksuar: “Ndaloni luftën në Ukrainë, ndaloni përshkallëzimin e luftës. Ndalo shkeljen e hapësirës ajrore aleate. Dije se jemi gati, se jemi vigjilentë dhe se do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s.”
Në fakt, Mark Rutte vuri në dukje pas rrëzimit të dronëve rusë se “reagimi i djeshëm ishte shumë i suksesshëm”.