Aktualitet

Dha dorëheqjen si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu emërohet zëvendësministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu emërohet zëvendësministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, që drejtohet nga Belinda Balluku.

Veliu vetëm pak kohë më parë u dorëhoq nga drejtimi i Policisë së Shtetit, ku përmes një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi argumentonte vendimin e tij.

Tashmë ai ka marrë këtë detyrë të rëndësishme duke u bërë pjesë e kabinetit qeveritar ‘Rama’.

Me anë të një letre që u bë publike nga kryeministri Rama, në 5 tetor të këtij viti, Veliu tregonte arsyet e largimit, ku kryesorja ishte përkushtimi i familjes.

“Ne këto moment kam vendosur të mos kërkoj një mandat tjetër dhe t’ju ofroj dorëheqjen time për t’u përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve që tani janë ne një moshë delikate e të cilëve ju kam munguar pafund këto katër vite”, argumentoi Veliu.

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit renditi edhe sukseset në këtë post, duke u shprehur se ka bërë më të mirën duke menaxhuar situata  të vështira.

Për mua ka qene një nder dhe privilegj t’i shërbej vendit si Drejtues i Policisë së Shtetit për katër vitet e fundit ne një punë sfiduese e impenjative të përditshme, shpesh larg familjes e fëmijëve që kanë sakrfikikuar bashkë me mua. Jam përpjekur të jap me të mirën time dhe te forcave tona policore duke menaxhuar situata komplekse nga lufta kundër trafiqeve e drogës, krimit te organizuar e atij te rrugës, flukset e emigranteve apo dhe tubimet shpeshherë të dhunshme, shkruante Veliu në letrën drejtuar Ramës.

Ndersa nga ana e tij kryeministri Rama tha:

Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falenderoj nga zemra për kontributin e vyer.

Ardi Veliu u emërua në krye të Policisë së Shtetit pas shkarkimit të Haki Çakos në shkurt të 2018-ës.