Këtë të premte nis rrugëtimin një emision i ri në Top Albania Radio që me siguri të gjithë dëgjuesit do ta duan shumë. Bëhet fjalë për “@ The Movies”, promon e të cilës tashmë e keni parë e ku gjithashtu keni marrë informacionet e para mbi këtë show.
Sot në “Live From Tirana”, ishin të ftuar prezantuesit e këtij emisioni dedikuar krejtësisht filmave, Edi Hallaçi dhe Arta Sinamati të cilët janë adhurues të mëdhenj të kinematografisë. Ata nuk janë panjohur për dëgjuesit e radios pasi Edi është zëri i bllokut informativ të lajmeve në TAR ndërsa Arta ka një eksperiencë radiofonike 10-vjeçare.
Dyshja më e re e Top Albania Radios, zbuluan disa detaje rreth “@ The Movies” që do të transmetohet nga kjo e premte prej orës 14:00 në radion tuaj më të dashur. Fundjava çel me informacionet më të reja të filmave, premierat më të fundit, debutimet e aktorëve të rinj të kinemasë, kolonat zanore më të bukura e jo vetëm kaq.
Kinemaja shqiptare e botërore e sjellë në 360 gradë, “@ The Movies” do të shpërfaqë gjithashtu filmat kult që nuk janë fort të njohura nga gjenerata e re. Sakaq, nuk do të mungojnë të ftuarit në studio, debate të forta rreth gjithçkaje që lidhet me filmat, quiz-e ku dëgjuesit tanë do të mund të luajnë për tu argëtuar, e ku fituesit do të shpërblehen me bileta për rrjetin e kinemave, “Cineplexx”.