Sot e ftuar në emisionin “Live From Tirana” ka qenë artistja e njohur dhe shumë e dashur për publikun, Valbona Mema. Ajo ka folur në lidhje me temën se si duhet të ndahen detyrat në familje dhe për ndasitë e punëve ndaj gjinive. Por jo vetëm kaq sepse Valbona ka zbuluar edhe disa të reja nga projektet e saj muzikore ku ju mund të klikoni këtu për të zbuluar më shumë.
Si ka qenë për ty e gjithë gjëja pas humbjes së bashkëshortit?
Shumë e vështirë, më duhej t’i rrisja, t’i edukoja dhe të kujdesesha për to sidomos në periudhën e adoleshencës. Unë vij nga një familje e madhe. Jam një natyrë shumë e fortë, e mbështes familjen pasi e kam shumë të shenjtë. Do të doja të kisha dashur një familje të kompletuar me shokun dhe bashkëshortin tim që e kam dashur, e dua dhe do ta dua gjithë jetën.
Kush të ka ndihuar më shumë në rritjen e fëmijëve?
Vjehrri dhe vjehrra më kanë ndihmuar shumë. Ata e dinin sa e ngarkuar isha unë, janë kujdesur shumë për ta. Edhe kur i lija vetëm ata kujdeseshin edhe për veten e tyre dhe për njëri-tjetrin.
Sa i përket pjesës së punëve, kush i bënte?
Fëmijët nuk kanë diferencë të madhe. Janë mësuar që të vegjël. Unë e dua çdo gjë në vendin e vet. Çdo gjë të rregullt. Ashtu i kam mësuar edhe ata. Edhe kur isha larg dhe ndodhesha përtej oqeanit flisja me ta dhe kujdesi normalisht që ishte edhe më i shtuar.
A bën dot një diferencë mes djalit dhe mes vajzës?
Fjalia e gocës gjithmonë është: “Shpejt se erdhi çuni, drekën…”. Bëhet pak xheloze dhe e thotë si në formë ironie. (qesh) Jam shumë krenare dhe nuk i ndaj dot të dy, i dua shumë.
A je dakord me këtë ndarjen e punëve në familje?
Unë nuk jam dakord. Kur e shikon me sy që një gjë duhet bërë duhet ta vendosësh në vend. Kur një gjë nuk është në rregull duhet ta rregullosh.
Si e shikon ndasinë e punëve ndaj gjinisë?
Unë vij nga një familje e madhe dhe normalisht që punët binin mbi neve por unë vetëm laja enët. Ka qenë tabu që një burrë të bënte punët por tani kan ardhur kohë të tjera. Nuk e gjykoj një mashkull që bën punë. Pastaj janë nënat që i bëjnë më mirë se të gjithë ne. Një nostalgji që kur e shikoj dhe mendoj se çfarë kanë bërë nënat tona, them janë heroina.