Reshjet e dëborës në Qarkun e Gjirokastrës kanë shkaktuar probleme duke bllokuar segmente rrugore në zonat malore. Sipas strukturave të emergjencave civile në Bashkinë Libohovë, në Njësinë Administrative Zagori aksi rrugor Çajup – Zhej është i bllokuar për shkak të borës.
Në Bashkinë Përmet aksi rrugor për në Njësinë Administrative Frashër kalohet me zinxhirë. Në Bashkinë Tepelenë në aksin rrugor Salari-Nivicë është punuar me mjete të rënda për largimin e dëborës dhe më pas është hedhur kripë duke e bërë këtë aks të qarkullueshëm. Mjetet e Forcave të Armatosura bënë të mundur hapjen e rrugës së fshatit Sheper, Gjirokastër.
Për sot vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, si dhe intervale të herëpashershme me diell (kthjellime). Përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe zonave bregdetare priten shira. Këto reshje në periudha tepër afatshkurtra do të jenë në formën e shtrëngatave. Mjegull e dendur/mjegullinë prezente në zonat luginore në orët e mëngjesit e në momentin e shirave.
Në zonën e Alpeve ka reshje dëbore me intensitet të ulët kryesisht në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes vonë. Era fryn me drejtim verilindje – juglindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 16 m/s.