Aktivistja influencuese e çështjeve të klimës Greta Thunberg ka fituar një çmim prej 1 milionë euro nga një organizatë në Portugali, ndërsa menjëherë ka njoftuar dhurimin e shumës për grupet e mbrojtjes së mjedisit dhe frenimit të ndryshimeve klimatike.
Më herët ajo fitoi çmimin e humanizmit Gulbenkian me motivimin për mënyrën sesi “mundi të mobilizonte gjeneratën e re për kauzën e ndryshimeve klimatike, si dhe përpjekjen e saj të vendosur, për ndryshimin e një ‘status quo’ që ngulmonte prej kohësh”, deklaroi Jorge Sampaio, kryetari i jurisë së çmimit.
Thunberg tha se nga paratë e fituara €100,000 do të shkonin për organizatën “SOS Amazonia” organizata në Brazil që lufton kundër përhapjes së koronavirusit në zonat aborigjene të Amazonës.
Një tjetër €100,000 do të shkojnë për organizatën Stop Ecocide Foundation, në mbështetje të punës së tyre për ndërgjegjësimin që “ecocidi” të etiketohet si “krim ndërkombëtar”, komentonte Thunberg.
Çmimi €1 milionë është më i madhi i fituar ndonjëherë ambjentalistja 17-vjeçare e cila ka fituar gjithashtu çmimin më të lartë nga grupi Amnesty International, si dhe grupi suedez ‘E Drejta për Mjetet e Jetesës’, i cili shpeshherë prezantohet si një “Nobel alternativ”.
Thunberg dhe tre aktivistë të tjerë rinorë të klimës i bënë dje një apel liderëve të BE “për t’u përballur me emergjencën e klimës”, në një letër të hapur të nënshkruar nga 150 shkencëtarë dhe njerëz të famshëm.