Rajoni

I nxehti përvëlues, Greqia ndalon punën jashtë në orët e pikut!

Greqia është përfshirë nga i nxehti përvëlues dhe autoritetet greke urdhëruan pushime të detyrueshme nga puna në zonat ku temperaturat pritet të kalojnë 40 gradë Celsius. Kjo situatë pritet të vazhdojë të paktën deri të enjten e 10 korrikut. Ministria e Punës ndaloi punën fizike jashtë dhe shpërndarjen e ushqimit në fashën orare 12:00 me 17:00. Urdhri do të duhet që të zbatohet kryesisht në rajonet qendrore të Greqisë e në disa ishuj.

Po ashtu, punëdhënësve iu kërkua, të ofrojnë mundësi pune nga distanca. Në kryeqytetin grek Athinë nuk u mor ndonjë masë emergjente, pasi vala aktuale e të nxehtit nuk po konsiderohet edhe aq e pazakontë. Meteorologët presin temperaturat më të larta ditën e nesërme e të mërkurën, si dhe parashikojnë një rënie të lehtë, në rreth 35 gradë, diku nga fundi i javës.

Temperaturat më ekstreme shënohen në zonat e ulëta të rajoneve qendrore të Greqisë. Në ishuj dhe përgjatë bregdetit, pritet që të jenë tre deri në pesë gradë më të ulëta se në pjesën kontinentale e në qendrat urbane.

Ndër rekomandimet më të rëndësishme për qytetarët janë: shmangia e qëndrimit jashtë gjatë orëve të nxehta të mesditës, konsumimi i shumtë i ujit, shmangia e alkoolit, ngrënia e ushqimeve të lehta dhe evitimi i aktiviteteve sportive në ambient të hapur.

Për të ndihmuar personat më të rrezikuar, si të pastrehët apo ata që nuk kanë ajër të kondicionuar, shumë qytete dhe komuna kanë vënë në dispozicion ambiente me ajër të kondicionuar, ku njerëzit mund të strehohen.