Policia e Lezhës vuri nën hetim një 38-vjeçar pas incidentit të një nate më parë mes Koalicionit Euroatlantik dhe Partisë Socialiste. Nga partia e Lulzim Bashës pretendohet se socialistët po blejnë vota. Zv.kryetari i bashkisë, Fatjon Zefi e kallëzoi në polici për pengim të lëvizjes së automjetit të tij në fshatin Kolsh, për motive politike. Ndaj 38-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasin Gj.P., 38 vjeç, banues në fshatin Kolsh, pasi ka kallëzuar shtetasi F.Z., me detyrë Zëvendëskryetar i bashkisë Lezhë, se 38-vjeçari, për motive që lidhen me fushatën elektorale, ka penguar me automjetin e tij, lëvizjen e mjeteve në fshatin Kolsh.
Në një deklaratë për mediat, Eduart Ndocaj pretendon se e kanë ndjekur makinën e zyrtarëve socialistë për disa orë dhe se janë ndaluar në zonën e malësisë së Lezhës pasi dyshohej se po mblidhnin vota për PS-në ndërsa thotë se ka bërë edhe denoncimin në SPAK.
Kishim që në orën 17:00 që ndiqnim një makinë me targa franceze. Drejtori i OSHEE-së Andi Marku dhe nënkryetari, rreth orës 23:00 janë bllokuar nga forcat e policisë, duke dyshuar se këto po hynin nëpër familje të zonës së Malësisë së Lezhës dhe kam bindjen se po manovrojnë duke devijuar votën e qytetarëve duke kërcënuar dhe blerë. Kam bërë edhe denoncim në SPAK në faqen online. Jam i bindur se Bashkia Lezhë ka lëshuar këlyshët e saj që i paguajmë me taksat tona për të manipuluar qytetarët.
Denoncimin për këtë rast e bëri vetë drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, përmes një reagimi në rrjetet sociale. Reagoi edhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili e quan “një alibi”.
Banda të PD vazhdojnë të provokojnë klimë tensioni pa asnjë shkak në Lezhë! Bllokime rrugësh duke kufizuar lëvizjen e lire te njerëzve janë bërë shqetësuese! Bile një natë kanë ndaluar dhe punonjës policie! Mbrëmë kanë bllokuar rrugën me rrugace, zv kryetarit te Bashkisë Lezhe Fatjon Zefi, Kryetarit të PS Kolsh Andi Marku! Moslejimi i lëvizjes në zonat e veta dhe bllokimi i rrugëve me alibinë idiote se po blihen vota, është shkelje flagrante e ligjit, dhe provokacion për të tensionuar fushatën në kushtet e pamundësisë për të siguruar mbështetjen elektorale!
Ju bej thirrje anëtarëve të PS të ruajnë qetësinë! Organet ligjzbatuese të marrin masat përkatëse ndaj kujtdo që kufizon lirinë e lëvizjes së çdo qytetari! Karvanë me makina me militantë dhe armë lëvizin natën duke bërë presione. Pse nuk duhet ne të aludojmë se po bëjnë presion dhe po lëvizin duke blerë vota?! Këto janë sjellje të shëmtuara qe nuk nderojnë kulturën e lezhjaneve! Pseudo gangsterë të ardhur gjoja me forcë elektorale, do shfryhen si tullumbace më 12 Maj!
Bllokimi i rrugës se zv.kryetarit të Bashkisë Fatjon Zefi, i cili njihet si një nga djemtë me integritet në Lezhë, është vetëdemaskimi më i qartë i farsës së ashtuquajtur, “mbrojtje vote”! Lezha s’ua ka borxh këtë sjellje primitive dhe provokim të ulët! Ne nuk do të biem ne batakun e provokacioneve tuaja, megjithëse e keni mbushur kupën! Por policia, prokuroria të veprojnë sipas ligjit!