Live From Tirana

Instruktori i palestrës Remil Peqini: “Ekziston një trup perfekt, ja si është…”

I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë instruktori i palestrës Remil Peqini. Ai ka folur më shumë për disa mite mbi palestrën apo trupin perfekt, por jo vetëm…

A ekziston një trup perfekt?

Unë e dëgjoj shumë shpesh këtë fjali dhe marr shumë kundërshtime nga kjo. Unë mendoj që ka një trup perfekt. Mendoj se sipas gjatësisë, ti duhet të gjesh një peshë ideale dhe atë peshë ideale ta perfeksionosh. Pra ti të mos shkosh me mendimin sa më shumë i madh, tek djemtë, sepse jo gjithmonë që sa më shumë i madh do të thotë që dukesh më bukur. Ti duhet të bësh një trup të bukur, që të dukesh bukur në një këmishë, për mendimin tim. Nëse ti mban një trup të mirë, e perfeksionon, e ke shumë herë më të thjeshtë për ta mbajtur këtë trup gjithë jetën, sepse duhet ta shikosh në një pikëpamje pak më të gjerë. Ti nuk duhet të jesh i bukur dhe i shëndetshëm vetëm sot, duhet të jesh gjithë jetën tënde. Ndërsa për vajzat, mendoj që një bark i sheshtë, ca vithe jo shumë bombastike të mëdha, por të rrumbullakëta dhe ca kofshë të holla. Sepse sot është bërë një gabim shumë i madh, që femrat po shkojnë drejt kofshëve të mëdha si të djemve. Për mendimin tim është shumë gabim kjo, edhe nga ana estetike, edhe nga syri i një mashkulli, mua nuk më pëlqen një femër që të ketë kofshët më të mëdha se të një mashkulli. Femra do feminilitet, do linja, do proporcione. Është ndonjëherë roli kyç i një instruktori, që duhet të të thotë se çfarë fiziku duhet të bësh. Kur nuk ke informacion dhe shkon në palestër për herë të parë, normalisht që ti duhet të dëgjosh një instruktor dhe ky është gabimi më i madh. Ka dhe një arsye tjetër që për mua është më e dëmshmja, është që marrin suplemente. Unë jam i vetmi kundra këtyre, sepse mendoj që një trup i shëndetshëm nuk ka nevojë për suplemente të jashtme.