Aktualitet Bota

Italia rikonfirmon partneritetin me Shqipërinë, Meloni pas takimit me Ramën: Forcojmë bashkëpunimin mes dy vendeve!

Kryeministri Edi Rama është pritur këtë të enjte në Romë nga homologja italiane Giorgia Meloni, në një takim zyrtar në “Palazzo Chigi”.

Sipas njoftimit të qeverisë italiane, takimi vjen pesë muaj pas samitit ndërqeveritar të zhvilluar në Romë dhe ka shërbyer për të bërë një bilanc të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjatë bisedës, dy liderët janë ndalur te forcimi i partneritetit në disa sektorë kyç, me fokus të veçantë te lidhjet infrastrukturore, industria e mbrojtjes dhe bashkëpunimi në fushën e migracionit.

Njoftimi i Pallatit “Chigi”

“Presidentja e Këshillit të Ministrave, Giorgia Meloni, priti sot në ‘Palazzo Chigi’ Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Pesë muaj pas Samitit Ndërqeveritar të Romës, takimi shërbeu për të bërë një bilanc të forcimit të partneritetit mes dy vendeve në sektorët me interes të përbashkët, me fokus të veçantë te ndërlidhja, industria e mbrojtjes dhe bashkëpunimi në fushën e migracionit”

Takimi me Melonin në Romë, Rama: Asnjë qeveri italiane s’ka bërë kaq shumë për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjete sociale një foto nga takimi me homologen italiane Giorgia Meloni në Romë, duke dhënë një mesazh të shkoqur për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në postimin e tij, Rama thekson se Italia ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë, por qeveria Meloni bën një dallim të fortë për zhvillimin dhe sigurinë e Shqipërisë

“Të gjitha qeveritë e Italisë në 35 vitet e fundit kanë qenë posaçërisht dashamirëse ndaj Shqipërisë, por asnjë qeveri italiane nuk ka vënë në lëvizje një program kaq të ngjeshur bashkëpunimi strategjik me Shqipërinë, sa qeveria e Giorgia Melonit. Afrimi i mëtejshëm me Italinë përmes projekteve të mëdha e konkrete sjell më shumë zhvillim e siguri për Shqipërinë” shkroi Rama në rrjete sociale.