Tingujt e polifonisë shqiptare janë bërë pjesë e muzikës së filmit Odiseja, nga fillimi në fund.
Verën e kaluar, kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, erdhi në jug të Shqipërisë për të regjistruar grupet më të mira të polifonisë, grupin e Gjirokastrës, Djemtë e Delvinës, Fyejtë e Gramshit dhe nisi bashkëpunimin me etnomuzikologun dhe kompozitorin Vasil Tole
“E gjithë ekspertiza ime konsiston në këtë fakt, të theksoja që kjo është një muzikë shumë e lashtë, është para feve, e kohëve homerike, madje edhe më herët se aq, e lidhur ngushtë dhe evoluimin e gjuhës shqipe. E stimulonte shumë fakti që ishte një kulturë e gjallë dhe prej kësaj, kompozitori u frymëzua së tepërmi. Ai ndërtoi një gjuhë për mua shumë origjinale”, u shpreh akademiku dhe etnomuzikologu Prof. Dr. Vasil Tole.
Akadamiku tregon komunikimet e vazhdueshme dhe kërkesën e regjisorit Christopher Nolan që të mos përdorej më orkestra simfonike, por të kërkohej një orientim drejt rrënjëve të muzikës, me elementët arkaikë. Duke gërrmuar në arkeologjinë e muzikës shqiptare, ai u interesua për marrëdhëniet e zërave, funksionin e korit të isos dhe zërave solistikë.
“Tre elementë të rëndësishëm si ai i ka përdorur këto elementë të muzikës: Fyejtë e Gramshit janë përdour për të panoramuar peizazhin kulturor të kohës. Grupi i Djemve të Delvinës, iso dhe marrëdhënia me hedhësin është përdorur në aspektet luftarake. Elementin e fyellit e ka përdorur për të vajtuar”, shprehet Tole.
Si pasojë e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, akademiku sheh një interes në rritje të publikut botëror për kulturën tonë. Por, nga ana tjetër, nxjerr në pah mungesën e mbështetjes për artistin që mbajnë gjallë traditat. Për këtë, ka një propozim.
“Shqipëria tashmë ka mbi 12 dukuri të regjistruara në UNESCO. Do të sugjeroja që shteti shqiptar, Ministria e Kulturës të ngrinte një strukturë të posaçme pranë saj vetëm për të ndjekur problematikat, ku një nga detyrimet është sa të ruajtura janë monumentet dhe dukuritë dhe sa të mbrojtur janë ata që i promovojmë. Sepse, të trija grupet që janë përdorur për muzikën e filmit nuk kanë përfituar ndonjë ndihmë direkte nga shteti. Nëse shteti do të jetë i vëmendshëm ta krijojë një strukturë të tillë dhe të mbështesë artistët”, shton Tole.
Isopolifonia në Hollywood, për akademikun është një arritje Homerike dhe konfirmim botëror i vlerave të jashtëzakonshme artistike muzikore të popullit tonë.