Aktualitet

Rëndohet bilanci i aksidentit te TEG-u! Ndërron jetë edhe i plagosuri tjetër, dyshohet të jetë egjiptian!

Rëndohet bilanci i aksidentit tragjik të ndodhur pasditen e sotme te rrethrrotullimi i TEG-ut. Burime bëjnë me dije se ka ndërruar jetë edhe personi i dytë që ndodhej në kamionin e tipit pompë betoni, i cili ishte transportuar në spital në gjendje të rëndë. Më herët, edhe shoferi i mjetit humbi jetën në vendngjarje, pasi kamioni u përplas me një automjet, çau barrierat mbrojtëse dhe ra nga mbikalimi në aksin TEG–Elbasan.

Policia sqaron se pas përplasjes betonierja ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.

Për pasojë, njëri prej personave që udhëtonte në betoniere dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër humbi jetën në spital.

Dy personat që ndodheshin në betoniere janë ende të paidentifikuar, por mësohet se janë shtetas të huaj.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, Roland Nuri. rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët do të sqarojnë rrethanat dhe shkakun e aksidentit.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

Rreth orës 16:20, te rrethrrotullimi i TEG-ut, një kamion (pompë betoni) është përplasur me një automjet. Si pasojë e përplasjes, kamioni (pompë betoni) ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit. Për pasojë, njëri prej personave që udhëtonte në kamion (pompë betoni) dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore. Dy personat që ndodheshin në kamion (pompë betoni) janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për përcaktimin nëse personi që ka humbur jetën në vendngjarje ishte drejtuesi i kamionit apo ishte personi që ndodhet në spital. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.