Kryesuesi i seancës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, thërriti për nesër në orën 14:00 mbledhjen e radhës, e 53-ta. Me vetëm 54 vota pro formimit të komisionit për votim të fshehtë, edhe sot dështoi konstituimi e zhvillimet e nesërme priten me interes pasi vijnë vetëm një ditë para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar asnjë veprim nga deputetët për konstituim të Kuvendit nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Në arsyetimin e paraqitur, Gjykata theksoi se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës”.
Një ditë më parë, Kushtetuesja deklaroi se ekzistojnë rrethana të interesit publik, që e përfshijnë rendin kushtetues të Kosovës, që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend.
Vendimin në lidhje me vendosjen ex officio të masës së përkohshme, Kushtetuesja sqaroi se e mori pas pranimit të dy lëndëve në fillim të korrikut nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy lëndë janë bashkuar, raportoi Kushtetuesja, duke shtuar se Gjykata po ashtu ka pranuar komente nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këto lëndë.
Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e numrit më të madh të votave në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, i takon posti i kryeparlamentarit, por partitë e tjera politike, ose nuk pajtohen me emrin e propozuar për këtë post, Albulena Haxhiun, ose për mënyrën e ndryshimit të votimit për të, nga e hapur në të fshehtë.
Pas seancës, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se partia e tij nuk shkon drejt zgjidhjeve të pjesshme e deklaroi se nuk kontribuon që vendi të shkojë në zgjedhje.
Kur Nisma të jetë e sigurt se po formohet një shumicë qeveritare do ta japë kontributin e vet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme. Shumicë qeveritare, nuk ka zgjidhje parciale. Eshtë bërë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për mua s’ka qenë asnjëherë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, fundamenti i kësaj krize është mospasja e numrave të nevojshëm për qeveri dhe derisa nuk ka numra të mjaftueshëm për qeverisje, gjërat kanë ngelur ku janë sot.
Ndër të tjera, Limaj deklaroi:
Në interes të demokracisë dhe funksionimit të institucioneve do të ishte mirë ta presim aktgjykimin dhe më pas forcat politike të mobilizohen t’i themelojnë institucionet.